Select Page

A nuk meditojnë ata për veten e tyre? Këta mohues të profetëve të Zotit dhe të takimit me të, a nuk meditojnë pak në veten e tyre? Pa dyshim, mjafton të meditojnë në veten e tyre, për të gjetur shenja të mëdha, që tregojnë se Ai që i bëri të ekzistojnë nga hiçi e ka pushtetin për t’i rikthyer sërish pas vdekjes; Ai që i bëri të kalojnë nëpër faza të ndryshme: nga një pikë uji, në droçkë gjaku, pastaj në një kafshatë mishi si e përtypur, pastaj i jep shpirt dhe e bën një krijesë të gjallë një njeri, që do të dalë në këtë botë si fëmijë i dobët, pastaj rritet dhe bëhet një i ri, pastaj rritet, piqet dhe më pas, nëse Zoti e lë në këtë jetë, plaket deri në pleqëri të thellë; pra, është e pamundur që Ai t’i lerë të shpërfillur e pa u vendosur rregulla e ligje për jetën në këtë botë, pa i urdhëruar dhe pa i ndaluar, pa i shpërblyer e pa i ndëshkuar.

– ”Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre me një qëllim të madh …Dhe ky qëllim i vërtetë dhe i rëndësishëm është që t’ju sprovojë se cili nga ju është më vepër mirë:

– ”…dhe për një kohë të përcaktuar, …Allahu vendosi një afat për jetën tuaj në këtë dynja. Kjo dynja e ka një afat dhe, kur të mbarojë ajo, atëherë ka ardhur koha e ahiretit. Atë ditë, Toka do të shndërrohet në tjetër Tokë dhe qiejt do të shndërrohen në të tjerë qiej.

– ”… por shumë njerëz e mohojnë takimin me Zotin e tyre (Ditën e Ringjalljes).Për këtë arsye edhe nuk përgatiten për takimin me Të. Ata të mjerë nuk i besojnë profetët e Zotit, që njoftuan për Ditën e Gjykimit, dhe ky ishte tregues i mohimit të tyre pa asnjë argumet dhe fakt ku të mbështeteshin. Madje, argumente të shumta dhe të prera tregojnë se ringjallja dhe llogaria me drejtësi është e vërtetë që nuk mund të mohohet dhe të hidhet poshtë.