– “(Atë Ditë) Çdo popull do ta shohësh të gjunjëzuar (në pritje të llogarisë).” – Çdo njeri të krijuar në këtë botë, do ta shohësh atë ditë në gjunjë, të tmerruar e duke pritur në ankth gjykimin dhe vendimin e Mbretëruesit të Gjithëmëshirshëm.
– “Çdo popull do të thirret (për t’u tubuar) te Libri i vet (i veprave). Sot do të shpërbleheni për ato që keni punuar.” – Çdo popull do të pyetet për Shpalljen hyjnore që profeti i tyre u ka përcjellë nga Zoti. Ata do të merren në llogari: a e kanë pranuar dhe zbatuar atë, për të përfituar shpërblimin dhe shpëtimin nga ndëshkimi? Apo e kanë shpërfillur atë, duke merituar ndëshkimin dhe humbjen e mirësive të premtuara nga Zoti? Për shembull, ymeti i Musait (a.s) do të thirret të japë llogari në lidhje me Shpalljen e Musait.
Ymeti i Isait do të japë llogari për Shpalljen e Isait (a.s), ashtu si edhe ymeti i Muhamedit (a.s.) do të llogaritet për Shpalljen e Muhamedit (a.s). Pra, çdo popull do të pyetet në lidhje me Librin hyjnor me të cilin është ngarkuar që ta besojë dhe ta zbatojë. Ky është njëri nga shpjegimet e ajetit, i cili është, pa dyshim, një kuptim i saktë. Por ka, gjithashtu, mundësi që fjala “libri” në ajet të ketë kuptimin ‘libri i veprave”. Në këtë mënyrë, çdo njeri do të gjykohet sipas shënimeve në librin e veprave, ku janë regjistruar të gjitha veprat e tij të mira apo të këqija.
Çdokush do të shpërblehet sipas veprave që ka bërë vetë, sikurse thotë i Madhëruari në suren Fusilet, ajeti 46: “Kush bën mirë, e bën mirë për veten e vet, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve .” Por ka mundësi që ajeti t’i përmbajë të dyja këto kuptime, të cilat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Këtë e mbështet edhe ajeti në vijim: