– ”Vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë Kijameti …” – Allahu ka përfshirë në diturinë e Tij të fshehtën dhe të dukshmen, dhe kjo është një çështje e sigurt dhe e njohur. Gjithashtu, dihet se Allahu mund t’ua zbulojë disa fshehtësi ndonjë prej robërve të Tij, si për shembull, profetëve. Çështjet që janë përmendur këtu i di vetëm Allahu. Diturinë rreth tyre Ai e ka fshehur nga krijesat. Kështu, këto çështje nuk i di as ndonjë profet i dërguar, as ndonjë melek i afërt i Zotit, e aq më pak të tjerët.
Ai thotë: “Vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë Kijameti…” Ai e di se kur do të ndodhë Kijameti, siç thotë në një ajet tjetër: “Të pyesin ty rreth Orës (së Kjametit): “Kur do të ndodhë”? Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im. Askush, veç Tij, nuk mund ta zbulojë se kur do të ndodhë. Kjo barrë është shumë e rëndë për gjithçka në qiej dhe në tokë. Ajo ka për të ardhur veçse befas. Ata të pyesin ty, sikur ti të kishe zbuluar dijen rreth saj. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu”, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [El ea’raf 187].
”… dhe është Ai që e lëshon shiun.” – Ai është i vetmi që e lëshon shiun dhe Ai e di se kur dhe ku do të zbresë.
”Ai e di se ç’ka në bark (të nënave).” – Është Allahu që e krijon atë që zhvillohet brenda barkut të nënave, dhe Ai e di në do të jetë mashkull apo femër, i mirë apo i keq etj., siç përmendet në hadith. Është Allahu që vendos çfarë të dëshirojë me të.
”Askush nuk e di se çfarë do të fitojë nesër …” – Qoftë nga çështjet dhe veprat e fesë, qoftë nga veprat e dynjasë.
”… dhe askush nuk e di se në ç’vend do të vdesë.” – Është Allahu i vetmi që i di këto çështje. Pasi i veçoi këto çështje, Allahu vijon të tregojë se dituria e Tij ka përfshirë gjithçka. Ai thotë:
”Allahu është i Gjithëdituri, që di mirë çdo fshehtësi.” – Dituria e Tij ka përfshirë atë që shfaqet dhe atë që fshihet. Është prej urtësisë së Tij fakti që Allahu e fshehu diturinë për këto pesë çështje nga krijesat. Kjo është gjëja më e mirë, dhe këtë e kupton çdokush që mendon dhe mediton.
Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Lukman, me mirësinë dhe ndihmën e Allahut. Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut!