– ”Kur ata i mbulon ndonjë valë si reja, i drejtohen Allahut me besim të sinqertë vetëm tek Ai.” – Allahu i Madhëruar na tregon për gjendjen e njerëzve kur ata hipin nëpër anije dhe përplasen nëpër det nga dallgët dhe furtunat. Ata tregohen të sinqertë në lutjet drejtuar Zotit dhe në adhurimin e Tij.
– ”Por, kur Ai i shpëton ata e i nxjerr në tokë, disa prej tyre nuk tregohen mirënjohës (ashtu si duhet). Faktet Tona nuk i refuzon kush, përveç të pabesëve dhe mohuesve.” – Ata ndahen në dy grupe. Disa nuk tregohen mirënjohës, ashtu siç e meriton Zoti, por vazhdojnë në gjynahe, duke e ngarkuar veten me padrejtësi. Kurse disa të tjerë tregohen tërësisht mohues ndaj Zotit dhe mirësive të Tij dhe refuzues të besimit të drejtë.
Por Zoti thotë: “Faktet Tona nuk i refuzon kush, përveç të pabesëve dhe mohuesve (mosmirënjohës).” Këta janë tradhtarë, sepse në fillim i premtojnë Zotit se, nëse do t’i shpëtojë, atëherë do të besojnë dhe do të jenë mirënjohës. Por kur Zoti i shpëton, ata nuk e mbajnë premtimin e dhënë. Ata janë, gjithashtu, mohues dhe mosmirënjohës ndaj mirësive të Allahut. Përfundimisht, ai të cilin Allahu e shpëton nga një vështirësi apo sprovë, duhet që të tregojë mirënjohjen e plotë ndaj Tij.