– ”Nëse ti i pyet se kush i krijoi qiejt dhe Tokën, ata me siguri do të thonë: “Allahu!” – Kështu, nëse i pyet këta mohues të Zotit e idhujtarë, që e mohojnë të vërtetën e sjellë nga profetët, se kush i krijoi qiejt dhe Tokën, ata me siguri do të thonë: “Allahu.” Ata do të dëshmojnë se idhujt e tyre nuk kanë krijuar asgjë në gjithësi dhe do të përgjigjen me të shpejtë se është Allahu Ai që i ka krijuar, i vetëm.
– ”Atëherë thuaj: “I lavdëruar qoftë Allahu!”! – Duke u argumentuar me atë që edhe ata e pranojnë, kërkoju që ta pranojnë dhe të dëshmojnë njëshmërinë e Zotit në adhurim, gjë që ata e mohojnë. Thuaju: “I lavdëruar qoftë Allahu!” Pra, i lavdëruar qoftë Allahu, që e shfaqi të qartë dhe të fortë dritën e së vërtetës. Ai ju argumenton pikërisht me gjërat që edhe ju vetë i pranoni. Kështu, nëse do të kishim logjikë, atëherë do të pranonim se pikërisht Ai që është i vetmi krijues që kujdeset për krijesat e tij dhe është rregullues i të gjitha çështjeve të tyre, pikërisht Ai duhet të jetë i vetmi që meriton adhurimin, bindjen ndaj Tij dhe nënshtrimin e plotë sipas ligjit dhe urdhëresave të Tij.
– ”Por shumica e tyre nuk dinë. – Prandaj edhe i shoqërojnë Atij shokë në adhurim. Ata kënaqen me besimin e tyre kontraditor, duke treguar se janë tërësisht të paqartë, të mjegullt dhe në dyshime të vazhdueshme. Ata e ndjekin këtë rrugë jo me bindje dhe janë të paditur. Allahu i Lartësuar përmend në këto dy ajete një shembull, për të treguar cilësitë e Tij absolute e të plota, për t’i nxitur dhe inkurajuar njerëzit që t’i njohin mirë dhe të marrin dituri të plotë rreth Tij, si dhe për të qenë tërësisht të sinqertë në adhurimin dedikuar Atij.