Select Page

Kush i dorëzohet Allahut (me gjithë shpirt) dhe është bamirës, ai është kapur pas lidhjes më të fortë.Ata që i nënshtrohen me përunjësi e përkushtim zbatimit të fesë e të jetuarit sipas ligjit të Zotit me sinqeritet të plotë, ata janë bamirës. Domethënë, vetëm duke iu përmbajtur Islamit korrektësisht siç ka urdhëruar Zoti dhe duke pasuar Profetin dhe traditën e tij, mund të konsiderohesh “bamirës”.

Por ky ajet mund të kuptohet edhe kështu: Kush i dorëzohet Allahut (me gjithë shpirt), pra, çdokush që i dorëzohet Allahut, duke përmbushur e përkryer të gjitha adhurimet, e pastaj është bamirës, pra, i bën ato adhurime duke arritur gradën e ihsan-it, duke e adhuruar Allahun sikur ta shihte atë haptazi, – pasi edhe pse nuk mund ta shohë në këtë dynja, ai është i bindur së Allahu e sheh, – ai është kapur pas lidhjes më të fortë.

Një kuptim tjetër i ajetit do të ishte: “Ai që i dorëzohet Allahut duke përmbushur detyrat e përgjegjësitë ndaj Tij dhe është muhsin (bamirës) me robërit e Allahut, duke përmbushur detyrimet e përgjegjësitë ndaj tyre, ai është kapur pas lidhjes më të fortë.”. Të trija këto kuptime kanë lidhje të ndërsjellta me njëra tjetrën dhe përmbajnë njëra tjetrën. Që të trija mëtojnë normalisht se bëhet fjalë për ata që përmbushin me besim e sinqeritet dispozitat e fesë së Zotit në atë formë të plotë që ato të pranohen nga Ai.

Çdokush që e bën këtë, atëherë i është dorëzuar plotësisht Allahut dhe është bamirës. Për këta, i Madhëruari thotë që janë kapur pas lidhjes më të fortë. Kjo është lidhja më e fortë; ajo që, kush kapet pas saj, sigurohet dhe fiton çdo të mirë dhe shpëton nga çdo e keqe. Çdokush që kapet pas kësaj shpëton nga ndëshkimi i Zotit, arrin shpërblimin e Tij dhe çdo të mirë. Ndërsa ai që nuk i është dorëzuar tërësisht Allahut ose nuk është muhsin, atëherë nuk është kapur pas lidhjes më të fortë, dhe kështu përfundimi i tij është veçse shkatërrimi e ndëshkimi.

Vetëm tek Allahu do të kthehen të gjitha çështjet. Të gjitha çështjet, tek Allahu e kanë fundin dhe gjykimin. Ai do të gjykojë mes robërve  me drejtësinë e bamirësinë e Tij dhe do t’i shpërblejë ata sipas veprave të tyre dhe sipas mënyrës me të cilën e mbyllën jetën e tyre. Prandaj le të përgatiten për këtë çështje.