– ”Kur atyre u thuhet: “Ndiqni shpalljen e Allahut!”, ata thonë: “Jo! Ne do të ndjekim atë që gjetëm te prindërit tanë.” – Atyre u thuhej që të pasonin shpalljet që sollën profetët nga Zoti i tyre, që ishin e vërteta e sigurt. Këtë të vërtetë, Allahu ua sqaroi atyre me argumente të qarta e të plota, por ata thoshin: “Jo, ne do të ndjekim atë që gjetëm te prindërit tanë. Ne nuk kemi për ta lënë kurrë rrugën e të parëve tanë për asnjë shkak dhe fjalë tjetër, kushdo qoftë ai që e sjell atë fjalë. Por Allahu i Madhëruar, duke u kthyer përgjigje atyre dhe të parëve të tyre, thotë:
– ”Edhe pse shejtani është duke i ftuar për në dënimin e zjarrit.” – Ata iu përgjigjën shejtanit dhe ndoqën hapat e të mallkuarit. Ata u bënë ndjekës të shejtanit, prandaj i pushtoi dyshimi e pasiguria. Mos, vallë, kjo i bën ata që t’i ndjekin e pasojnë të parët e tyre në këtë rrugë të humbjes? Përkundrazi, ky fakt duhet t’i bëjë të frikësohen dhe të ruhen që të mos bien në të njëjtin kurth që ranë të parët e tyre. Kjo duhet t’i bëjë që ta shohin qartë devijimin dhe humbjen ku të parët e tyre u zhytën.
Çdokush që ndjek hapat e shejtanit dhe refuzon dritën e Zotit i ka hyrë rrugës së humbjes dhe dëshpërimit. Kur shejtani i mallkuar i fton ata dhe të parët e tyre në rrugën e tij, e bën këtë jo nga dashuria e përkujdesi për ta, por nga armiqësia dhe dëshira për t’i shkatërruar e shkaktuar dhimbje e dëshpërim. Kështu, pasues të shejtanit u bënë pikërisht armiqtë e tij, të cilët ai arriti që t’i mashtrojë e nënshtrojë me kurthet dhe hilet e tij. Ai dëshiron që edhe ata të bëhen banorë të Zjarrit që në momentin kur i përgjigjen ftesës së tij.