Select Page

O biri im (tha Lukmani)! (Ditën e Gjykimit) Allahu ka për ta sjellë (prej veprave të robit) edhe një thërrmijë të vogël sa një farë sinapi, edhe në qoftë ajo e fshehur nën një rrasë guri, ose (diku) në qiej ose në tokë.  Edhe një farë sinapi,që konsiderohet nga më të voglat gjëra, – sikur të jetë fshehur në mes të ndonjë shkëmbi ose në lartësitë e qiejve dhe thellësitë më të errëta të Tokës, Allahu i Madhëruar ka për ta nxjerrë dhe ka për ta sjellë atë në shesh. Kjo ndodh sepse dituria e Allahut është e gjerë dhe gjithëpërfshirëse dhe pushteti i Tij është i plotë e absolut. Ai di çdo gjë të fshehtë në hollësi. Asgjë nuk i fshihet Allahut.

Vërtet, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur. Ai është Latif, që do të thotë i ditur për çdo hollësi të fshehtësive. Ai sheh dhe di çdo fshehtësi, edhe sikur të jetë strukur në thellësitë e errësirat e Tokës dhe të oqeaneve. Qëllimi i të gjithë kësaj është për të na nxitur që të ndiejmë mbikëqyrjen e Zotit dhe t’i frikësohemi e kemi turp prej Tij me sa kemi mundësi. Ky është një kërcënim për t’u larguar nga çdo punë e shëmtuar dhe e ndaluar, e vogël apo e madhe qoftë, e pakët apo e shumtë.