Select Page

E nëse ata të dy të shtyjnë që ti të më bësh Mua shok (në adhurimin për mua), për çka ti nuk ke aspak dije, atëherë mos iu bind atyre; megjithatë, për çështjet e jetës së kësaj bote, të sillesh mirë me ta.  Këto lloj kërkesash dhe dëshirash nuk bëjnë pjesë në bamirësinë ndaj prindërve dhe nuk duhen plotësuar, hepse haku i Zotit është më parësor për t’u përmbushur se çdo e drejtë tjetër. Rregulli në Islam thotë qartë: “Nuk lejohet t’u bindesh krijesave duke thyer urdhrin e Krijuesit.”

Por kujdes! Allahu i Lartësuar thotë: “…atëherë mos iu bind atyre; megjithatë, në çështjet e jetës së kësaj bote të sillesh mirë me ta.” Nuk thotë që tregohu i vrazhdë dhe shkeli të gjitha përgjegjësitë ndaj tyre. Por thjesht mos iu bind kur të urdhërojnë për idhujtari dhe për gjynahe ndaj Zotit. Përsëri, bamirësia ndaj tyre duhet të jetë e vazhdueshme, madje më e spikatur. Shoqëroji dhe bashkjeto me ta, duke qenë gjithnjë bamirës, sipas normave të përhapura ndër njerëz. Ndërsa pasimi i tyre në gjynahe e idhujtari është i ndaluar dhe i dënueshëm.

– ”Pasoje (me përkushtim) rrugën e atij që është kthyer (i penduar e i nënshtruar) drejt Meje.  Ne jemi urdhëruar të ndjekim rrugën e besimtarëve, që besojnë korrektësisht dhe me sinqeritet Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, profetët e Tij dhe iu dorëzuan plotësisht Zotit të tyre, për të jetuar sipas Shpalljes së Tij. Ata pendohen dhe kthehen në rrugën që të çon në kënaqësinë e Zotit dhe Xhenetin e Tij.

Kjo është rrugë që jemi urdhëruar të ndjekim me përkushtim. Ashtu si besimtarët e sinqertë, edhe ne ndjekim rrugën e kthimit tek Zoti me nënshtrim e bindje. Me fjalë të tjera, ne i përkushtojmë të gjitha forcat trupore, mendore e shpirtërore veç për të kënaqur Zotin tonë dhe të gjitha qëllimet tona janë të drejtuara veçse për të jetuar sipas urdhëresave të Tij. Dhe kur qëllimet tona dhe zemrat tona janë të përkushtuara veçse për këtë rrugë, atëherë edhe trupat tanë do të lëvizin e bëjnë veçse punë që kënaqin Allahun dhe të afrojnë tek Ai.

– ”Në fund, ju tek Unë do të ktheheni të gjithë … Si të bindurit, ashtu edhe të pabindurit, si ata që janë penduar, ashtu edhe ata që i kanë kthyer shpinën rrugës së Tij, tek Ai do të kthehen. Ai thotë:

– ”dhe Unë do t’ju tregoj atë që keni bërë.Allahut nuk i fshihet asgjë prej veprave të robit dhe Ai është shpërblyesi më bujar dhe ndëshkuesi më i drejtë.