– ”Ai i krijoi qiejt pa shtylla që të mund të shihen nga ju …” – Allahu krijoi gjithë ata qiej, me madhështinë, gjerësinë e lartësinë e tyre të madhe. Ai i krijoi: “…pa shtylla që të mund të shihen nga ju.”Ato janë pa shtylla mbajtëse, sepse në të kundërt do të shiheshin. Ato qëndrojnë dhe funksionojnë me fuqinë dhe urdhrin e Zotit.
– ”… dhe vendosi në tokë male të palëvizshme …” – Ai vendosi male madhështore kudo në tokë, që ajo:
– ”… që të mos luajë vendi së bashku me ju …” – Nëse Allahu nuk do të kishte bërë malet, toka do të ishte e paqëndrueshme për njerëzit, për të jetuar normalisht në të.
– ”… dhe shpërndau nëpër të (në tokë) nga të gjitha gjallesat.” – Ai përhapi në tokë nga të gjitha llojet e gjallesave, që i janë nënshtruar dhe janë në shërbim të njeriut. Pasi i përhapi në tokë, Ai u siguroi atyre edhe rizkun për të jetuar, prandaj zbret nga qielli ujë të begatshëm e plot mirësi:
– ”Ne e zbresim ujin nga qielli dhe bëjmë që të mbijnë në tokë nga çdo lloj bime të dobishme në çift.” – Mirësi të shumta, të bukura, të hijshme dhe të dobishme e plot begati. Me bimësinë ushqehen kafshët dhe gjallesat.