– “Lexoju (o Muhamed!) atyre me vërtetësi ngjarjen e dy djemve të Ademit, …” – Tregoju me vërtetësi njerëzve ndodhinë mes bijve të Ademit. Lexojua atyre, që të nxjerrin mësime ata që dinë të nxjerrin mësime. Kjo është një histori e vërtetë, e jo gënjeshtër, është e rëndësishme, jo lojë. Nga ajeti kuptohet se bëhet fjalë për dy djemtë e lindur drejtpërdrejt nga Ademi a.s. Ky është mendimi i shumicës së mufesirin-ëve. Lexoju, pra, ngjarjen e atyre të dyve, kur ata afruan nga një kurban për Allahun e Lartësuar:
– “… kur të dy flijuan nga një kurban. Njërit iu pranua kurbani, ndërsa tjetrit nuk iu pranua. Ai i tha tjetrit: “Unë do të të vras ty”.” – Pra, secili prej tyre nxori një pjesë të pasurisë së vet, me qëllimin për t’iu afruar Allahut të Lartësuar. Por me një shenjë nga qielli, u kuptua që njërit iu pranua kurbani, ndërsa tjetrit jo. Në popujt e parë, shenjë e pranimit të kurbanit ishte një zjarr që zbriste nga qielli dhe që e përpinte kurbanin. Djali të cilit nuk iu pranua kurbani, i nxitur prej smirës, i tha atij që iu pranua: “Do të të vras.” Por tjetri iu përgjigj me butësi:
– “Tjetri i tha: “Allahu pranon (kurban) vetëm prej të devotshmëve.” – Kuptimi: Çfarë gjynahu dhe padrejtësie kam bërë unë, që të më vrasësh? Unë thjesht tregohem i devotshëm ndaj Zotit tim, dhe devotshmëria ndaj Tij është detyrë e imja, e jotja dhe e çdokujt. Allahu i Lartësuar i pranon punët e atyre që tregohen të devotshëm në kryerjen e tyre. Kusht i domosdoshëm që një vepër të pranohet nga Allahu i Madhëruar është të kryerit e saj me sinqeritet vetëm për Atë, me qëllimin për ta kënaqur Atë dhe kryerja e saj sipas porosive të Allahut dhe të Profetit të Tij. Ky është kuptimi i saktë i ajetit. Më pas, ai i drejtohet vëllait të vet dhe i thotë se kurrë nuk do ta dëshironte vrasjen e tij, as edhe për vetëmbrojtje, madje: