Select Page

– “Allahu tha: “Ajo (tokë) është e ndaluar për ta. Për dyzet vjet, ata do të enden nëpër tokë.  Kuptimi: Si ndëshkim, ata do të enden nëpër shkretëtirë dhe, për 40 vjet, nuk do të mund të hyjnë në tokën që Zoti u premtoi. Për 40 vjet nuk do të gjejnë më qetësi dhe prehje. Ky ishte një ndëshkim që në këtë dynja, nëpërmjet të cilit, Allahu i Lartësuar ndoshta i pastroi nga gjynahu i mosbindjes.

Nëpërmjet këtij ndëshkimi, Allahu i Madhëruar largoi një ndëshkim më të madh kundër tyre. Kjo tregon se ndëshkimi për gjynahet mund të vijë në forma dhe mënyra të ndryshme. Ai mund të vijë si largim i të mirave, por mund të vijë edhe në formën e një vonese të largimit të fatkeqësive apo të shtimit të tyre.

Ndoshta periudha dyzetvjeçare do të bënte që shumica e atyre që thanë ato fjalë të vdisnin. Megjithatë, kjo periudhë do të shërbente që të ndryshonin ato zemra që nuk ishin mësuar me durim dhe qëndrueshmëri, por me nënshtrim e robëri. Ata nuk kishin ambicie dhe vullnet për t’u ngritur lart dhe për të fituar. Për këtë arsye, kjo kohë do të shërbente edhe për t’u edukuar një brez i ri, që do të rritej me dëshirën për të mposhtur armiqtë, me krenarinë për të mos qenë robër e të nënshtruar dhe me ambicien për të arritur lumturinë.

Por Allahu i Lartësuar e dinte shumë mirë që robin e Tij, Musain a.s, e spikaste një mëshirë dhe dhembshuri e madhe, sidomos për popullin e tij. Me gjithë lutjen që ai bëri kundër tyre, ai u prek dhe ndjeu keqardhje për atë vendim, që tashmë kishte marrë fund dhe ishte vulosur. Prandaj Allahu i Lartësuar i thotë:

– “Por ti mos u ligështo për popullin e pabindur!” – Pra, mos të të vijë keq dhe mos u trishto për atë popull, sepse ata i kaluan kufijtë. Shfrenimi dhe mospërfillja e tyre e bënë mëse të meritueshëm ndëshkimin që u vendos për ta. Ky vendim nuk është aspak një padrejtësi, por është ai çka e merituan me fjalët dhe veprat e tyre të ulta.