– “Allahu udhëzon nëpërmjet tij në rrugët e shpëtimit ata që kërkojnë kënaqësinë e Tij …” – Nëpërmjet Kur’ânit, Allahu i Lartësuar udhëzon ata që përpiqen sinqerisht për të kënaqur Atë. Qëllimi i tyre është i mirë, prandaj Allahu i Lartësuar i udhëzon drejt së mirës dhe në rrugën e paqes.
Kjo rrugë i siguron udhëtarët e saj nga ndëshkimi dhe i çon në vendin e lumturisë. Kjo është rruga e drejtë, e ndërtuar mbi dijen e saktë dhe punën e sinqertë në bazë të kësaj diturie, për të kënaqur Zotin. Sa më e gjerë dhe e hollësishme të jetë dituria dhe puna me të, aq më e lartë do të jetë grada e robit.
– “… dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë, me Lejen e Tij. Ai i udhëzon ata në një Rrugë të Drejtë.” – Nëpërmjet Kur’ânit dhe mësimeve të Profetit të Tij, Allahu i nxjerr njerëzit nga errësira e kufrit, bidatit, poshtërsive, injorancës dhe pakujdesisë, në dritën e imanit të pastër, traditës profetike, bindjes ndaj Tij dhe Profetit, diturisë së gjerë dhe përmendjes së Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “… me ndihmën e Tij …”. Pra, i gjithë ky udhëzim është dhuratë e Allahut. Ajo që Allahu ka dashur të jetë është, dhe ajo që Allahu nuk lejoi të jetë, nuk është.