– “Ata kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë baba e as fëmijë që e trashëgojnë (el kelale).” – Allahu i Lartësuar na tregon se si disa njerëz i kërkuan njëherë Profetit (a.s)që t’i sqaronte çështjen e el kelale-s. El kelale quhet rasti kur një person, pas vdekjes së tij, nuk lë fëmijë të lindur prej tij dhe as fëmijë të fëmijëve të tij, nuk lë baba dhe as gjysh, por lë motër ose vëlla. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, …” – Domethënë, nuk ka lënë as djem, as vajza, nuk ka lënë as të lindur prej tij dhe as fëmijë nga fëmijët e tij. Gjithashtu, ky nuk ka lënë as baba dhe as gjysh, sepse Allahu i Lartësuar përmend mes trashëgimtarëve të pasurisë së këtij njeriu motrat dhe vëllezërit, dhe dihet gjerësisht se motrat dhe vëllezërit nuk marrin pjesë në trashëgimi, nëse është gjallë babai ose gjyshi.
– “… por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë.” – Pra, nëse një mashkull me këto të dhëna vdes dhe lë pas vetes motër nga babai dhe nëna, ose vetëm nga babai, asaj i takon gjysma e pasurisë që ka lënë vëllai i saj, qofshin ato monedha ari e agjendi, toka, shtëpi, orendi etj. Sigurisht, kjo bëhet pasi të jenë larë borxhet dhe pasi të jetë plotësuar porosia e të vdekurit, sikurse është përmendur më parë. Këtu nuk përfshihet motra vetëm nga nëna, për të cilën është folur më herët.
– “Ai (vëllai) trashëgon atë (motrën), nëse ajo nuk ka fëmijë.” – Nëse personi i vdekur është femër dhe lë pas vetëm një vëlla, ai trashëgon të gjithë pasurinë e saj, nëse ajo nuk ka lënë pas fëmijë. Sheriati në këtë rast nuk ka përmendur masë të caktuar për vëllain, sepse ai e trashëgon të gjithë pasurinë e motrës kur ajo nuk ka lënë pas fëmijë apo trashëgimtarë të tjerë, për të cilët Sheriati e ka përcaktuar masën e trashëgimisë.
– “Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe motra, atëherë mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës.” – Nëse trashëgimtarët janë dy motra e më shumë, atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që ka lënë i vdekuri. Në qoftë se trashëgimtarët janë edhe vëllezër, edhe motra, atëherë një mashkulli i takon sa dyfishi i pjesës së një femre.
– “Kështu jua sqaron Allahu dispozitat, që ju të mos humbni rrugën e drejtë.” – Kuptimi: Allahu i Lartësuar ju sqaron ligjet dhe dispozitat, që juve ju nevojiten shumë. Kjo është një mirësi e madhe që Zoti ju dhuron, sepse nëpërmjet saj ju nuk do ta humbisni rrugën e drejtë. Dituria sjell dritë dhe udhëzim, kurse injoranca sjell humbje dhe padrejtësi.
– “Allahu Di gjithçka.” – Ai është i Gjithëditur për të fshehtat dhe për të dukshmet, për çështjet e shkuara dhe ato të ardhme. Ai e di për çfarë keni nevojë që të dini dhe ju mëson ju prej dijes së Tij, në mënyrë që ju të arrini çdo të mirë, në çdo kohë dhe në çdo vend.