– “Ata që besojnë në Allahun dhe i mbështeten tërësisht Atij, Ai do t’i fusë në mëshirën dhe mirësinë e Tij dhe do t’i udhëzojë drejt Vetes përmes rrugës së drejtë.” – Këta janë të shpëtuarit, që Allahu i Lartësuari i ka përshkruar me dy cilësi:
1. Ata besojnë Allahun, pra, besojnë në ekzistencën e Tij, besojnë që Ai ka cilësi të plota dhe është i pastër nga çdo mangësi dhe dobësi.
2. Ata i mbështeten tërësisht Allahut, duke iu dorëzuar Atij dhe duke shpresuar vetëm ndihmën e Tij. Ata nuk mbështeten asnjë çast në forcat dhe aftësitë e tyre, por i kërkojnë ndihmë vetëm Allahut të Lartësuar. Të tillë njerëz do të përfshihen në mëshirën e Tij, i Cili do t’u japë sukses të kryejnë punë të mira, duke ua shtuar shpërblimin dhe duke larguar prej tyre fatkeqësitë dhe të këqijat. Ai do t’i udhëzojë ata në rrugën e drejtë, duke u mundësuar të marrin dije të dobishme dhe të saktë dhe të punojnë sipas kësaj dijeje, me sinqeritet për Allahun e Lartësuar. Ky ishte grupi i parë.
Ndërsa në grupin e dytë janë ata të cilët nuk i kanë cilësitë e të lartpërmendurve, domethënë ata që nuk e besojnë Allahun, nuk i mbështeten Atij dhe nuk e zbatojnë Librin e Tij. Këta do të jenë të privuar nga mëshira dhe mirësia e Tij. Ai do t’i lërë të mbështeten në veten e vet, prandaj ata kurrë nuk do të mund ta gjejnë udhëzimin, por do të jenë të humbur dhe shumë larg të vërtetës. Ky ndëshkim është plotësisht i drejtë, sepse ata nuk besojnë dhe nuk i kërkojnë ndihmë Allahut. E lusim Allahun të na ruajë, të na falë dhe të na ndihmojë!