– “Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, Ai do t’ua përmbushë shpërblimin e merituar dhe do t’ua shtojë atë më shumë, prej mirësisë së Tij.” – Për ata të cilët kanë edhe besimin e drejtë, edhe veprat e mira në përputhje me këtë besim, qofshin ato vepra të detyruara apo të pëlqyeshme; për ata që jetojnë me dinjitet, duke respektuar të drejtat e Zotit dhe të drejtat e krijesave; për të tillët, pra, Allahu i Lartësuar ka premtuar se do t’ua japë të plotë shpërblimin e premtuar.
Por jo vetëm kaq: Ai premton se do t’ua shtojë edhe më shumë shpërblimin, prej bujarisë së Tij. Ai do t’u japë atyre të mira, që kurrë nuk do të mund t’i arrinin me punën e tyre dhe që kurrë nuk u ka shkuar në mend se ekzistonin apo që do të mund t’i arrinin. Ato janë mirësi të Xhenetit në ushqime, pije, pamje e marrëdhënie. Ato janë kënaqësi të zemrës, shpirtit dhe të trupit. Në këtë premtim të Allahut të Lartësuar hyjnë, gjithashtu, edhe mirësitë e dynjasë.
– “Ndërsa ata që i largohen adhurimit të Tij dhe tregohen kryeneçë, do t’i ndëshkojë me një dënim të dhembshëm …” – Të gjithë ata që tregohen kryeneçë dhe nuk nënshtrohen për të adhuruar Allahun e Lartësuar, Ai ka për t’i ndëshkuar me një dënim të dhimbshëm. Ky ndëshkim është zemërimi i Allahut dhe Zjarri i ndezur fort, që shkakton dhimbje të thella në trup e në shpirt.
– “… dhe nuk do të gjejnë për veten e tyre asnjë mbrojtës a ndihmëtar tjetër, veç Allahut.” – Asnjë krijesë nuk do të mund t’u dalë në ndihmë, që ata të mund të arrijnë ndonjë të mirë. Askush nuk do mund t’i ndihmojë për të shpëtuar nga e keqja dhe dënimi. E si mund të ndodhë kjo, kur ata i ka braktisur më i Mëshirshmi i të mëshirshmëve dhe i ka lënë të vuajnë ndëshkimin e përjetshëm?! Askush nuk mund të ndryshojë gjykimin dhe vendimin e drejtë të të Lartësuarit.