Select Page

– “Ne e kemi urdhëruar njeriun për bamirësi ndaj prindërve të vet. Nëna e ka bartur me mundim dhe me vështirësi e ka lindur. Barra dhe ushqimi me gji zgjasin tridhjetë  muaj.” – Kjo tregon butësinë dhe mëshirën e madhe të Allahut të Madhëruar për robërit dhe vlerësimin e lartë të Tij për rolin dhe gradën e prindërve. Ai i ka porositur dhe u ka marrë premtimin fëmijëve që të jenë të mirë me prindërit e tyre, dhe këtë ta tregojnë me fjalë, vepra dhe sjellje shembullore ndaj tyre. Ata duhet të tregohen bamirës ndaj prindërve, duke shpenzuar pasuri ose duke bërë çdo gjë tjetër, me qëllim që të fitojnë kënaqësinë e tyre.

Allahu i Madhëruar tregon edhe arsyen pse duhet të jemi bamirës ndaj prindërve. Është nëna ajo që vuan e mundohet aq shumë për fëmijën e saj, që në periudhën e shtatzënisë e deri në dhimbjet e mëdha gjatë lindjes. Por nuk është vetëm kaq. Po kujdesi i mëtejshëm, periudha e gjidhënies, lodhja dhe netët pa gjumë, derisa fëmija të rritet e forcohet? Të gjitha këto nuk kalojnë shpejt, por është një periudhë që zgjat 30 muaj.

Nëntë muaj prej tyre janë të shtatzënisë, në shumicën e rasteve, ndërsa pjesa tjetër është gjidhënia dhe përkujdesja tjetër e nevojshme. Duke e parë këtë ajet së bashku me ajetin tjetër, ku thuhet: “Nënat le t’u japin gji foshnjave të tyre dy vite të plota, për ato që duan ta plotësojnë gjidhënien” [Bekare 233], arrijmë në përfundimin se koha më e shkurtër e shtatzënisë është gjashtë muaj. Me fjalë të tjera, është e mundur që pas gjashtë muaj barre, të lindë një fëmijë.

“Kur arrin pjekurinë e vet dhe mbush dyzet vjeç, ai thotë: …” – Në kohën kur njeriu arrin kulmin e fuqisë fizike dhe të pjekurisë së mendimit, ai fillon të lutet:

– “Zoti im, më mundëso që të të falënderoj Ty për mirësitë që na ke falur mua dhe prindërve të mi!” – Kuptimi: Më jep forcë dhe sukses që të jem mirënjohës për çfarë më ke dhuruar! Mirësitë e Tua ndaj meje janë të shumta. Ato janë mirësi në fe dhe besim, pasi Ti me ke udhëzuar në rrugën e drejtë dhe më ke larguar nga rruga e keqe. Por ato janë edhe mirësi që kanë lidhje me këtë dynja. Mirënjohja për gjitha këto shprehet vetëm duke i shfrytëzuar dhe shpenzuar ato në bindje ndaj Atij që t’i dhuroi.

Për të arritur statusin e mirënjohësit, duhet t’i vlerësosh dhe t’i respektosh shumë këto mirësi, duke shfaqur në të njëjtën kohë edhe pamundësinë tënde për t’i shprehur të plotë Allahut mirënjohjen që i takon. Duhet të përpiqesh shumë që ta lavdërosh Allahun për ato mirësi që të ka dhuruar. Duhet ditur se mirësia që u është dhuruar prindërve konsiderohet si mirësi që u është dhuruar edhe fëmijëve të tyre. Mirësitë që kanë prindërit i përfshijnë edhe fëmijët, sidomos mirësitë që kanë lidhje me fenë. Nëse prindërit përmirësojnë veten me dituri të pastër fetare dhe me vepra të mira, ky u shërben si shkak i fuqishëm për rregullimin e fëmijëve dhe pasardhësve të tyre.

– “Më mundëso që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti të jesh i kënaqur!” – Veprat që Zoti i do dhe e kënaqin Atë, janë ato që i plotësojnë kushtet për të qenë të mira dhe që janë të ruajtura nga çdo gjë që i shkatërron. Këto janë ato vepra të cilat Ai i pranon dhe i shpërblen.

– “M’i bëj të mirë pasardhësit e mi!” – Pasi lutet për veten, që Zoti t’ia përmirësojë çështjet e tij, ky njeri vijon të lutet edhe për pasardhësit, që Zoti t’ua përmirësojë gjendjen dhe veprat e tyre. Në fakt, duke u lutur për rregullimin e pasardhësve, ai lutet për veten e vet, sepse fëmijët e mirë janë mirësi dhe për prindërit e tyre.

– “Unë pendohem tek Ti dhe të jam dorëzuar.” – Pendohem për gjynahet, poshtërsitë dhe mosbindjen time! Unë kthehem tek Ti, o Zoti im, i dorëzuar tërësisht, për të të madhëruar Ty!