– “Thuaju: “Më tregoni se ç’do të bëhet me ju, nëse ai (Kur’ani) është prej Allahut, kurse ju e mohoni, ndërkohë që një dëshmitar nga bijtë e Israilit dëshmoi për vërtetësinë e tij dhe e besoi, kurse ju tregoheni kryeneçë?!”” – Ju e mohoni Kur’anin, por çfarë ndodh nëse ai është libri i Allahut të Madhëruar? Çfarë ndodh, kur për vërtetësinë e tij dëshmojnë më të zgjedhurit dhe më të udhëzuarit nga mesi i ithtarëve të Librit, të cilët kishin patur shumë shenja e fakte për të njohur të vërtetën?
Nëse ju e mohoni atë, a nuk është ky krimi më i madh? Nëse mesazhi i sjellë prej meje është në përputhje me mesazhin e të gjithë profetëve, dhe kjo është pranuar nga pasuesit e denjë të profetëve, ndërsa ju nuk doni ta pranoni, a nuk është ky tregues i padrejtësisë, i kufrit, i mendjelehtësisë dhe i injorancës tuaj? Dijeni, atëherë, se me mendjemadhësi dhe me shpërfilljen e fakteve të pamohueshme të sjella nga Zoti, ju nuk keni për ta gjetur kurrë të vërtetën. Allahu i Madhëruar thotë:
– “Allahu nuk i udhëzon në rrugën e shpëtimit njerëzit e padrejtë.” – Prej padrejtësisë është edhe shpërfillja me fodullëk e të vërtetës, pasi të krijohet mundësia ta kuptosh dhe ta pranosh atë.