Select Page

  “Kur u lexohen ajetet Tona të qarta, mohuesit thonë për të vërtetën, që u ka ardhur: “Kjo është magji e qartë!”– Kur mohuesve të Zotit u lexohen dhe u sqarohen plotësisht shpalljet e Tij, kjo nuk u bën asnjë dobi. Ky sqarim thjesht nuk u lë më asnjë justifikim para Zotit. Madje ata, duke dashur thjesht të mohojnë, kur dëgjojnë fjalën e Zotit, shpifin dhe thonë: “Kjo është magji e qartë!”. Pra, për të vërtetën e sjellë nga Zoti dhe për faktet e padiskutueshme të sjella nga profetët e Tij, këta mashtrues shpifin e thonë se janë thjesht magji.

Kjo nuk është gjë tjetër, por veçse një përmbysje e realitetit. Megjithatë, kjo mënyrë mund të gënjejë veçse mendjelehtët. E si mundet që shpalljet dhe mrekullitë, me të cilat Zoti ka mbështetur profetët duke dëshmuar për vërtetësinë e tyre, t’i mohosh e t’i krahasosh me magjinë dhe ligësinë e saj?! Mes dy rasteve ka një ndryshim të madh, sa largësia mes qiellit dhe Tokës. E vërteta është ajo që ngrihet e lartësohet mbi gjithçka. Drita e saj e tejkalon dritën e diellit. Saktësia e saj dëshmohet nga një mori faktesh të shfaqura në natyrë dhe në vetet tona.

Të vërtetën e pranojnë dhe i nënshtrohen mendjet më të ndritura dhe krijesat më të zgjedhura, që të jetojnë e punojnë sipas saj. Prandaj, si mund të krahasohet e vërteta me magjinë, e cila është gjëja më e kotë dhe e cila buron veçse nga të devijuarit dhe të padrejtët, nga shpirtligjtë e punëkëqijtë. Në fakt, magjia u shkon për shtat pikërisht atyre që e krahasojnë atë me Shpalljen dhe të vërtetën e Zotit. Këto pretendime janë veçse pallavra, me të cilat synohet thjesht justifikimi për të mos pranuar të vërtetën.