Pasi bëri të ditur se i solli Shpallje Profetit të Tij, Muhamedit (a.s.), ashtu sikurse u kishte sjellë vëllezërve të tij profetë më herët, Allahu i Lartësuar dëshmon Vetë për saktësinë dhe vërtetësinë e kësaj Shpalljeje. Kështu, Allahu i Lartësuar dëshmon se e ka shpallur Kur’ânin “nga dija e Vet”. Shprehja “nga dija e Vet” mund të kuptohet në dy mënyra:
1. “Ta zbriti nga dija e Vet”, domethënë, kjo Shpallje, të cilën e ka zbritur Allahu i Lartësuar, përmban në vetvete dituri prej dijes së Zotit. Ajo përmban dituri hyjnore, dispozita ligjore dhe rrëfime të panjohura, të cilat janë një pjesë e dijes së Zotit dhe që Ai ua mëson robërve të Tij nëpërmjet kësaj Shpalljeje.
2. “Ta zbriti nga dija e Vet”, domethënë, kjo Shpallje ka zbritur me djeninë e plotë të Allahut të Lartësuar, prandaj dhe Ai dëshmon për vërtetësinë e saj të padiskutueshme. Është Allahu i Lartësuar Ai që e shpalli Kur’ânin me urdhëresa, ndalesa dhe dispozita të rëndësishme, dhe këtë e bëri me dijen e Tij të plotë dhe absolute. Ai e di se çfarë përmban ky libër dhe e gjithë shpallja, të cilën ia përcolli Profetit të fundit, dhe e dinte shumë mirë gjendjen e atij të cilit ia shpalli këtë libër. Ai e dinte shumë mirë se Profeti i ftoi pa u lodhur njerëzit në adhurimin e Zotit të tyre, prandaj çdokush që e besoi dhe iu përgjigj ftesës së Profetit do të konsiderohet si miku i Zotit, ndërsa çdokush që e mohoi dhe shprehu armiqësi ndaj Profetit do të konsiderohet armiku i Zotit. Allahu i Lartësuar e ndihmoi profetin Muhamed a.s, duke i dhuruar fitore pas fitoreje, duke iu përgjigjur lutjeve të tij, duke poshtëruar armiqtë e tij dhe ndihmuar miqtë e tij.
E ku ka dëshmi më të madhe dhe më të qartë për sinqeritetin dhe vërtetësinë e këtij Profeti, sesa këto që u përmendën. Për çështjet e mëdha dhe të rëndësishme kërkohen dëshmi të forta, nga dëshmuesit më të rëndësishëm, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe melekët, dhe njerëzit e dijes, se nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Tij. Ai është Zbatuesi i drejtësisë. Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Tij, Ngadhnjimtarit e të Urtit.” [Al imran 18]. Mjafton, pra, Allahu si dëshmues.