– “Vallë, a mendojnë ata që i kanë zemrat e sëmura (me hipokrizi), se Allahu nuk do t’ua nxjerrë në shesh urrejtjen (ndaj besimit të vërtetë)?!” – A mos mendojnë ata që i kanë zemrat të infektuara nga dyshimet dhe epshi, se Allahu nuk do t’ua nxjerrë jashtë mllefin, urrejtjen, armiqësinë dhe ligësinë që mbajnë fshehur në kraharor?! Sëmundjet e zemrës e nxjerrin njeriun nga natyrshmëria e pastër dhe e fusin në pellgun e zullumit.
Mendimi i tyre se Allahu nuk do t’ua nxjerrë në dukje urrejtjen ndaj Islamit dhe muslimanëve, është shumë i gabuar dhe bie ndesh me urtësinë e Allahut të Madhëruar. Urtësia e Tij e bën të domosdoshme që të dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët, nëpërmjet sprovave dhe vështirësive. Ata që janë të qëndrueshëm në këto sprova dhe nuk i tradhtojnë bazat e fesë së tyre, ata janë besimtarë të vërtetë.
Ndërsa ata që lëkunden nga këto sprova dhe nuk bëjnë durim, ata nuk kanë besim të fortë dhe të vërtetë. Kur ata janë në vështirësi, e humbasin toruan dhe u dobësohet imani, aq sa fillojnë të vjellin vrer kundër të vërtetës, duke e nxjerrë jashtë në këtë mënyrë ligësinë që fshihnin në zemër dhe duke shfaqur hipokrizinë e tyre. Kështu, me urtësinë e Tij, Allahu i Madhëruar nxjerr në pah besimtarët e vërtetë dhe mashtruesit hipokritë. Madje Ai thotë: