Select Page

– “Mos mendo se janë të shpëtuar ata që gëzohen për atë që bënë (fshehjen e së vërtetës) …” – Kuptimi: Mos mendoni se i kanë shpëtuar ndëshkimit ata që gëzohen me dijen e tyre të shëmtuar, të pabazë dhe me veprat të pabazuara në tekste hyjnore.

“… dhe që dëshirojnë të lëvdohen për atë që nuk e kanë bërë (sqarimin e së vërtetës)!” – Pra, ata që dëshirojnë të lëvdohen për të mirat që, në fakt, nuk i kanë bërë. Normalisht, ata duhet të sqarojnë të vërtetën dhe të punojnë sipas saj, që të meritojnë lëvdatat.

– “Kursesi mos mendo se ata do t’i shpëtojnë ndëshkimit! …” – Kuptimi: Mos mendo se këta do t’i shpëtojnë dënimit dhe do të jenë të ruajtur prej tij. Përkundrazi, ata janë duke rendur drejt tij, siç thotë i Lartësuari:

– “Ata do të kenë një dënim të dhembshëm.” Ky ajet flet për disa kategori njerëzish. Ai flet, së pari, për ithtarët e Librit, që nuk iu nënshtruan dhe nuk e ndoqën udhëzimin e sjellë nga Muhamedi (a.s.), por u vetëkënaqën me dijen që zotëronin, duke e mbrojtur atë me fanatizëm të pabazuar.

Ata pretendonin se dija e tyre ishte më e rëndësishme për t’u pasuar. Ajeti flet edhe për ata që sajojnë bidate në fjalë dhe vepra dhe gëzohen që i ftojnë njerëzit në to, duke pretenduar se janë në të vërtetën dhe të tjerët janë në humbje. Të gjithë sektet e grupet e bidatit të njëjtën gjë pretendojnë.

Sidoqoftë, nga ajeti kuptohet se ai që dëshiron apo i pëlqen që ta lëvdojnë për ndonjë fjalë apo vepër të mirë, të cilën ai e ka thënë apo e ka vepruar, nuk është aspak i qortuar, nëse atë e ka bërë me sinqeritet për Allahun, dhe jo për famë dhe syfaqësi. Përkundrazi, ai nxitet nga Sheriati që të bëjë vepra të mira me sinqeritet për Allahun, i Cili i shpërblen bamirësit në fjalë dhe në vepra.

Allahu i ka shpërblyer edhe krijesat më të zgjedhura të Tij, profetët, të cilët i janë lutur Atij për t’ua plotësuar një kënaqësi të tillë. Kështu, për shembull, Ibrahimi (a.s.) është lutur: “…bëj për mua një kujtim të mirë ndër njerëz.” Ndërsa për Nuhun (a.s.), Allahu thotë: “Paqja qoftë për Nuhun në gjithë botën. Kështu i shpërblejmë Ne vepërmirët.” Një nga lutjet më të rëndësishme të adhuruesve të Mëshiruesit, është: “Na bëj prijës të të devotshmëve!”. Të gjitha këto janë mirësi të Allahut  të Lartësuar, që kërkojnë mirënjohje të thellë ndaj Tij.