– “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.” – Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na nxit që të tregohemi të përmbajtur kundrejt kësaj dynjaje, duke na kujtuar se ajo një ditë do të fanitet e do të zhduket. Kënaqësitë dhe joshjet e saj janë veçse një përjetim i shkurtër dhe mashtrues.
Çdokush që sprovohet me stolitë e saj, bie pre e kurtheve të saj dhe verbohet nga bukuritë e saj, harron që ajo do të largohet prej tij dhe ai do të largohet prej saj, për të shkuar në destinacionin përfundimtar të tij. Më pas, Allahu i Lartësuar na kujton ditën e vështirë dhe plot ankth të Kijametit, ditë kur do të jepet i plotë dhe me drejtësi shpërblimi i veprave të kryera në këtë jetë: o i mirë, o i keq, sipas meritës.
– “Kush i shpëton Zjarrit e futet në Xhenet, ai vërtet ka fituar. Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër, veçse një përjetim mashtrues.” – Domethënë, ka shpëtuar nga ndëshkimi i dhimbshëm dhe ka për të hyrë në Xhenetin e mirësive të pafundme. Ka fituar të drejtën për të jetuar në vendet e stolisura me bukuri, që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe asnjë zemër nuk i ka përfytyruar.
I kuptuar nga ana e kundërt, ajeti tregon se kush nuk shpëton prej Zjarrit dhe nuk futet në Xhenet, nuk ka dalë aspak i fituar. Kjo do të thotë se ai do të jetë i dëshpëruar dhe i dënuar përjetësisht. Ky ajet përmban një argument të bukur rreth vërtetësisë së shpërblimit në jetën e varrit (berzaħ). Çdokush do të shpërblehet pjesërisht gjatë jetës në varr për veprat që ka bërë. Kjo kuptohet nga fragmenti: “Pastaj, shpërblimet tuaja do t’ju jepen të plota veçse Ditën e Kijametit.”
Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se shpërblimi i plotë do të jetë vetëm Ditën e Gjykimit. Ndërsa një shpërblim i pjesshëm, kuptohet nga ajeti, do të jetë gjatë jetës së varrit. Jo vetëm kaq, por një pjesë të shpërblimeve, i Drejti dhe Bamirësi ua dhuron njerëzve që në këtë jetë, para vdekjes, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne do t’i bëjmë ata të ‘shijojnë’ dënimin më të shpejtë (në dynja), para dënimit të madh (në ahiret)…”. [Sexhde 21].