Select Page

– “Nëse ata të quajnë gënjeshtar, atëherë të jesh i sigurt se, edhe para teje janë përgënjeshtruar të dërguar, …” – Pra, ky është zakoni i pandryshueshëm i kriminelëve dhe i të padrejtëve. Ata dinë veçse të mohojnë Zotin dhe të refuzojnë profetët e Tij. Mohimi i profetëve prej tyre nuk ndodh për shkak të mungesës së mrekullive dhe as për shkak të  mosqartësimit të argumenteve. Përkundrazi, siç thotë i Madhëruari, ata:

“… që erdhën me Argumente të Qarta, me Shkrime qiellore dhe me Libër të ndritshëm.” – Profetët sollën plot arsyetime logjike dhe argumente të qarta tekstuale nga Zoti. Ata sollën libra të shpallur nga Zoti i gjithësisë, që nuk mund t’i sillte askush prej njerëzve. Me të tillë libra, Zoti nderoi vetëm profetët. Ata sollën libra ndriçues, që ndriçojnë dispozitat ligjore, mënyrat e arsyetimit të qartë, çdo rrugë të mirë dhe virtyt të lartë. Në këta libra ndriçohen ngjarjet e së shkuarës dhe të së ardhmes. Atëherë, nëse ata sillen kështu përkundër profetëve, ti nuk duhet të shqetësohesh shumë për çështjen e tyre.