– “Ata thanë (gjithashtu): “Allahu na ka porositur që të mos besojmë asnjë të dërguar, derisa të na sjellë një kurban që ta hajë zjarri.”” – Në këto ajete flitet rreth atyre mashtruesve që shpifën dhe thanë se Allahu i Lartësuar i kishte porositur që të mos besonin asnjë profet, derisa t’u sillte një shenjë. Shenja ishte: derisa i dërguari t’u sillte një kurban që ta hante zjarri.
Kështu, ata bënë dy padrejtësi: mashtruan për Allahun e Lartësuar dhe kufizuan mrekullitë e profetëve vetëm me shenjën e mësipërme. Me këtë shpifje, ata pretendonin se, edhe nëse nuk e besonin profetin, ata e bënin këtë që t’i bindeshin Zotit të tyre dhe zbatonin porositë e Tij për pranimin ose jo të profetëve.
Por dihet shumë mirë se Allahu i Lartësuar e mbështet me argumente dhe shenja të jashtëzakonshme çdo profet që e dërgon, të cilat janë të mjaftueshme që njerëzit t’i besojnë. Nga ana tjetër, Allahu i Lartësuar nuk i ka kufizuar mrekullitë e profetëve me atë që pretendonin këta trillues dhe fshehës të së vërtetës. Megjithatë, edhe me këtë kusht, ata nuk janë treguar kurrë besnikë dhe të kujdesshëm. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të thotë:
– “Thuaju (O Muhammed): “Para meje, juve ju erdhën të dërguar me Argumente të Qarta, …”” – Pra, shumë profetë kanë ardhur para meje, me shenja dhe argumente të mjaftueshme për të besuar. Madje, mes tyre pati edhe nga ata që sollën atë mrekulli që ju kërkoni.
– “… madje edhe me atë (mrekulli) që kërkonit.” – Pra, disa prej tyre sollën kurbane, që i hëngri një zjarr i zbritur nga qielli, si mrekulli prej Zotit. Pra, ju keni vepruar njëlloj me të gjithë profetët. Pyetja është e njëjtë:
– “Përse, pra, i vratë ata, nëse thoni të vërtetën?” – Kuptimi: Nëse jeni të sinqertë në pretendimin tuaj se Zoti ju ka porositur të mos besoni asnjë profet, veçse kur ai t’ju sjellë një kurban që ta hajë zjarri, atëherë si i përgjigjeni vrasjes së profetëve, mes të cilëve janë edhe ata që e sollën mrekullinë të cilën ju kërkoni?! Kjo tregon se ju veçse po gënjeni dhe po trilloni të pavërteta. Pastaj Allahu i Lartësuar e ngushëllon dhe qetëson Profetin e Tij, duke i thënë: