– “Ata janë të gëzuar me atë që u ka dhënë Allahu nga mirësia e Tij.” – Domethënë, janë të lumturuar dhe plotësisht të kënaqur me dhuratën e Zotit të tyre. Sytë dhe shpirtrat e tyre janë të gëzuar, të ngazëllyer me bukuritë e atjeshme. Kënaqësia që ndiejnë ata është e plotë, e pacunguar në asnjë aspekt.
Allahu i Lartësuar u ka dhuruar kënaqësi për trupin dhe lumturi për shpirtin e tyre. Ata lumturohen me mirësitë e përjetshme, me të cilat do të jetojnë përgjithmonë. Për këtë arsye, ata përgëzojnë njëri-tjetrin për vëllezërit e tyre, që ende nuk kanë rënë në luftë në rrugën e Zotit.
– “Ata gëzohen edhe për ata që kanë lënë pas dhe që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre (si dëshmorë), se për ta nuk do të ketë as frikë dhe as nuk kanë pse të brengosen.” – Pra, ata përgëzojnë edhe njëri-tjetrin me lajmin e gëzueshëm që, edhe vëllezërit e tyre, sikurse ata, nuk do të kenë frikë dhe as brenga. Ky është një plotësim i mirësisë dhe lumturisë së tyre.