– “Atyre iu tha: “Ejani e luftoni në rrugën e Allahut ose (së paku) për të mbrojtur veten!”” – Atyre iu tha: “Ejani të luftoni në rrugën e Zotit, për të mbrojtur fenë dhe për të kërkuar kënaqësinë e Tij! Ose, së paku, ejani dhe mbroni familjet, pasurinë dhe vendin tuaj, nëse nuk keni ndonjë qëllim më të lartë!” Por ata e hodhën poshtë këtë ftesë, duke thënë:
– “Ata thanë: “Sikur ta dinim se do të bëhej luftë (e vërtetë), ne do të vinim pas jush.” – Pra, thanë: “Nëse do ta dinim se do të zhvillohej luftë mes jush, me siguri që do të vinim, por ne menduam se nuk do të bëhej luftë”. Ata sigurisht që gënjenin, sepse e dinin mirë që do të bëhej luftë, madje luftë e ashpër. Idhujtarët ishin të mbushur plot urrejtje dhe dëshirë për hakmarrje kundër muslimanëve, për humbjen që kishin pësuar në Bedër.
Ata kishin shpenzuar të gjitha forcat njerëzore dhe financiare që zotëronin. Atëherë, si mund të mendohej se mes tyre nuk do të zhvillohej luftë?! Aq më tepër që besimtarët dolën në pritje të tyre. Ky justifikim i sjellë nga munafikët ishte qesharak, dhe të mjerët menduan se ai do të ishte i pranueshëm për besimtarët. Por çfarë thotë i Gjithëdituri për ta?!
– “Atë ditë, ata ishin më afër mosbesimit se besimit.” – Pra, në atë gjendje, kur nuk dolën me besimtarët, ata ishin më pranë kufrit se besimit.