Select Page

– “Ata kanë dallim (në gradat e tyre) tek Allahu.” – Të gjithë këta janë me grada të ndryshme tek Allahu i Lartësuar, në varësi të punëve që bëjnë. Ata që ndjekin udhëzimin e drejtë, për kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, dhe që rendin të arrijnë gradat e larta dhe shtëpitë e mrekullueshme në Xhenet, ata kanë për të marrë si dhuratë nga Allahu i Lartësuar shumë mirësi të Tij, në varësi të veprave që kryejnë në këtë dynja.

Ndërsa ata që ndjekin rrugët të cilat zemërojnë Allahun e Lartësuar, ata janë duke rendur drejt shtresave më të ulëta të Xhehenemit, në varësi të veprave që po kryejnë. Këtu duhet kujtuar vazhdimisht se Ai që i vështron, regjistron dhe i gjykon veprat e njerëzve është Allahu i Lartësuar, i Gjithëditur dhe i Drejtë:

– “Allahu sheh mirë se çfarë bëjnë ata.” – Ai vështron gjithçka që bëjnë ata. Atij nuk i fshihet asgjë nga veprat e tyre. Allahu është i Gjithëdituri, i Cili i di ato imtësisht dhe i ka shkruar në Leuhi Mahfudh. Përveç kësaj, Ai ka ngarkuar disa nga melekët e Tij, të cilët janë besnikë në detyrën e ngarkuar, që të shkruajnë me përpikmëri çdo vepër të robërve  të Tij.