– ”Ne ua ofruam Amanetin qiejve, Tokës dhe Maleve, por nuk pranuan ta merrnin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij. E mori njeriu. Pa dyshim, ai qe i padrejtë dhe i paditur.” – Allahu i Madhëruar tregon rëndësinë e madhe të amanetit, me të cilin ngarkoi të përgjegjshmit ligjërisht. Amanet është kryerja e urdhëresave dhe lënia e ndalesave, qoftë haptazi dhe të shohin njerëzit, qoftë kur je fshehur dhe të sheh vetëm Zoti.
Allahu i Lartësuar na njoftoi se këtë detyrë ua parashtroi edhe këtyre krijesave të mëdha, si qiejve, Tokës e maleve, që të zgjidhnin për të pranuar ose jo dhe me premtimin se, nëse e përmbushnin këtë amanet siç u kërkohej nga Zoti, do të shpërbleheshin e nëse nuk e përmbushnin, atëherë do të ndëshkoheshin. Por ato nuk pranuan ta merrnin përsipër atë, nga frika se nuk do ta përmbushnin ashtu siç u kërkohej, dhe jo për të refuzuar kërkesën e Zotit të tyre e as për t’u treguar mospërfillës të shpërblimeve të Tij.
Por kur Allahu ia paraqiti njeriut këtë amanet, me ato kushte të përmendura, njeriu e pranoi, edhe pse njeriu është i njohur për padrejtësinë dhe injorancën e tij. Ai pranoi ta mbante këtë barrë të rëndë. Kështu, në varësi të përmbushjes ose jo të këtij amaneti, njerëzit u ndanë në tri grupe:
- Munafikë, që hiqen sikur e përmbushin këtë amanet nga ana e jashtme, por që në të vërtetë, në brendësi, nuk e kanë plotësuar.
- Mohues e idhujtarë, që nuk e mbajnë këtë amanet as haptas e as fshehtas.
- Besimtarë, që i përmbahen këtij amaneti haptas dhe fshehtas.
Pastaj Allahu i Madhëruar përmend veprat dhe veçoritë e këtyre kategorive, si dhe ndëshkimin që meritojnë, duke thënë: