– ”Prej tani e mbrapa ty nuk të lejohen më gra (të tjera) e nuk të lejohet që të zëvendësosh ndonjërën nga gratë e tua me ndonjë grua tjetër, edhe sikur të të mahnisë bukuria e tyre, …” – Kjo tregon se Allahu i Lartësuar është Esh-Shekur, domethënë, Mirënjohës i madh. Ai i sheh dhe shpërblen shumë për veprat e mira që bën robi. Kështu, duke qenë se gratë e Profetit bënë zgjedhjen më të mirë, pasi zgjodhën të bëjnë durim dhe parapëlqyen ahiretin dhe kënaqësinë e Allahut dhe Profetit të Tij, Allahu i Madhëruar ua shpërbleu duke sjellë këto dispozita të veçanta për Profetin.
Ai tha: “Prej tani e mbrapa, ty nuk të lejohen më gra (të tjera) …”, Domethënë, Profetit nuk i lejoheshin më gra të tjera, përveç atyre ekzistuese. Gjithashtu: “… nuk të lejohet që të zëvendësosh ndonjërën nga gratë e tua me ndonjë grua tjetër…”. Pra, nuk i lejohej që të divorconte ndonjë nga gratë ekzistuese e ta zëvendësonte me ndonjë tjetër. Kështu, ato gra u siguruan nga divorci dhe heqja e statusit si “bashkëshorte të Profetit”. Gjithashtu, Profeti (a.s.) nuk do të kishte më gra të tjera.
Kështu, Zoti i zgjodhi dhe i dalloi ato si gra të Profetit në dynja dhe në ahiret, dhe i siguroi ato se nuk do të kishte ndarje mes tyre. Madje, i Lartësuari i tha Profetit: “nuk të lejohet që të zëvendësosh ndonjërën nga gratë e tua me ndonjë grua tjetër, edhe sikur të të mahnisë bukuria e tyre …”, pra, edhe sikur të të mahisë bukuria e ndonjë gruaje tjetër veç atyre që ke, nuk të lejohet të marrësh asnjë tjetër.
– ”… përveç atyre që i ke në zotërim (robinjat).” – Përveç nëse kënaqesh me robinjat. Kjo është e lejuar për ju, sepse ato nuk bëhen objekt xhelozie për gratë, ashtu siç ndodh me bashkëshortet.
– ”Allahu është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” – Allahu mbikëqyr dhe sheh çdo çështje dhe është i Gjithëditur se ku të çojnë dhe si finalizohen veprat. Ai i rregullon dhe sistemon çdo çështje në mënyrën më të mirë dhe më të bukur.