Select Page

Ti je i lirë të largosh kë të duash prej tyre dhe të afrosh kë të duash prej tyre.Edhe ky gjykim ishte i veçantë për Profetin (a.s) dhe prej lehtësimeve që Zoti i bëri atij, si mëshirë dhe kujdes për të. Nuk ishte detyrë për Profetin (a.s.) që t’i ndante netët njëlloj mes grave të tij. Kjo çështje i ishte e lënë atij në dorë ta bënte si të dëshironte dhe në formë bamirësie. Megjithatë, Profeti (a.s) përpiqej gjithmonë që të mbante sa më mirë drejtësinë dhe barazinë mes grave, si në çdo gjë tjetër. Ai thoshte: “O Zoti im! Kjo është ndarja dhe drejtësia që mbaj unë për atë që e kam në dorën time. Por mos më ngarko për atë që nuk e kam në dorë!”

Dhe nuk është gjynah për ty ta kthesh atë, nga e cila ke qenë larguar.Domethënë, zgjedhja të takon ty, se me kë do ta kalosh natën dhe me kë jo. Megjithatë, shumë komentues të Kur’anit janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për ato gra që ia dhuronin veten tyre Profetit (a.s), që ai të martohej me to. Kështu, kuptimi i ajetit është: “Mbaj kë të duash nga ato që të ofrojnë veten si bashkëshorte, ose refuzo kë të duash”. Por Allahu është më i ditur për gjithçka. Pastaj Allahu i Lartësuar na shpjegon urtësinë e këtyre lehtësimeve dhe përjashtimeve për Profetin (a.s) dhe thotë:

Kjo është më e mira, që ato të qetësohen shpirtërisht e të mos brengosen dhe të jenë të kënaqura me atë që ti u jep të gjithave. Këto lehtësime dhe lënia e këtyre çështjeve në dorën tënde, që të veprosh si të dëshirosh janë sepse: “Kjo është më e mira, …”, pasi ato e dinë mirë se ti nuk e lë kurrë ndonjë detyrim pa kryer  apo të bësh ndonjë haram. Ato  e dinë se ti nuk bën padrejtësi apo të lësh mangut ndonjë përgjegjësi ndaj tyre.

Allahu e di mirë atë që fshihet në zemrat tuaja. Zoti e di mirë se çfarë vërtitet brenda shpirtit tuaj, kur ju përmbushni ndonjë përgjegjësi të detyrueshme ose të pëlqyeshme dhe kur ndodhin përplasje gjatë realizimit të tyre. Për këtë arsye, Allahu ligjëroi për ty, o i Dërguar këto përjashtime e lehtësira, në mënyrë që zemrat e grave të tua të jenë më të qeta.

Allahu është i Gjithëditur e shumë i Mëshirshëm.Dituria e Allahut është e gjerë, e po kështu është edhe falja, mëshira dhe butësia e Tij në kujdesin ndaj robërve. Prej diturisë së Tij, Ai vendosi për ju ato ligje që janë në dobinë tuaj dhe që ju sjellin më shumë shpërblime. Prej mëshirës, faljes e butësisë së Tij është edhe fakti që Ai nuk ju ndëshkon menjëherë për padrejtësitë dhe gjynahet tuaja, por ju fal dhe ju jep mundësi të pendoheni, të përmirësoheni e pastroheni.