– ”Mos iu bind (fjalëve të) jobesimtarëve e hipokritëve dhe mos ua vër veshin mundimeve që të sjellin ty!” – Mos iu bind mohuesve të Zotit dhe hipokritëve, në lidhje me çdo gjë që të pengon dhe të largon nga rruga e Allahut. Gjithsesi, mosbindja dhe mospasimi i tyre nuk nënkupton që domosdoshmërisht t’i fyesh apo të veprosh diçka që i zemëron ata.
Thjesht bindju Allahut, mos iu bind atyre dhe bëj durim në ftesën që u bën atyre për të pranuar Islamin. Kjo do të bëjë që ata të afrohen më shumë me Islamin dhe do t’i ndalojë ata nga mundimi që ju japin juve dhe familjeve tuaja. Por kjo kërkon një ndihmë të madhe dhe durim. Dhe nuk ka ndihmës tjetër që mund të të ndihmojë në këtë rrugë të vështirë, veç Allahut të Lartësuar. Për këtë arsye, i Lartësuari udhëzon që vetëm Atij t’i mbështetesh, t’i kërkosh strehim dhe vetëm në dorë të Tij t’i lësh çështjet e tua.
– ”Mbështetju Allahut sepse të mjafton Allahu si Mbrojtës dhe Ndihmëtar.” – Allahu është Uekil, që do të thotë Mbrojtës dhe Ndihmëtar, pra, Ai të Cilit i besohen çështjet e rëndësishme. Nuk ka ndonjë më të mirë se Allahu, që të përkujdeset për veprat tona. Ai i rregullon ato dhe i lehtëson për ne. Çdo përcaktim dhe gjykim i Tij është më i miri për ne.