Select Page

Është (Allahu) Ai që ju mëshiron ju (me faljen e me mëshirën e Tij). Edhe melekët e Tij luten për ju (që Allahu t’ju falë), për t’ju nxjerrë prej errësirave në dritë. Allahu i Lartësuar çon salavate për adhuruesit e tij, për ata dhe ato që e kujtojnë shumë. Por çfarë kuptimi ka salavati i Zotit për robin e Tij? Përgjigjja është: ŝalavati i Allahut të Lartësuar për njerëzit është mëshira dhe butësia e Tij për ta, falja e gjynaheve të tyre, dhe përmendja e tyre mes melekëve të afërt të Tij në qiell. Ndërsa salavatet e melekëve janë lutjet e tyre drejtuar Allahut të Madhërishëm për t’i falur dhe mëshiruar besimtarët që e adhurojnë Atë si një të vetëm. Mbajtësit e Fronit madhështor të Zotit dhe ata që janë të rreshtuar rreth Fronit, luten për besimdrejtët.

Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që mbajnë Fronin (e Allahut) dhe ata që janë përreth tij e lartësojnë me lavde (dhe e madhërojnë) Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe kërkojnë falje për besimtarët: “Zoti ynë, Ti, me Mëshirën dhe me Diturinë Tënde përfshin gjithçka. Për këtë arsye, fali ata që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata nga dënimi i Zjarrit Flakërues (xhahimit)!” Zoti ynë, futi ata (që pendohen dhe ndjekin rrugën Tënde) në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të mirët prej etërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je Ngadhënjimtari, i Urti. Dhe ruaji ata prej të këqijave, sepse atë që Ti e mbron atë Ditë prej të këqijave, vërtet e ke mëshiruar! Ky është shpëtimi i madh”. [Gafir 7 – 9].

Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: “… për t’ju nxjerrë prej errësirave në dritë.” Me mëshirën dhe butësinë e Allahut, me faljen e gjynaheve, me lutjen e melekëve për ta, besimtarët mund të dalin nga errësirat e injorancës dhe mosbesimit, në dritën e dijes së saktë dhe të sigurt, në dritën e adhurimit të një Zoti të vetëm, Allahut të Lartësuar. Vetëm me të tilla ndihma të mundësuara nga Zoti, ata mund të ruhen nga të këqijat dhe rrugët e shumta dhe të zbukuruara të humbjes.

Ai është Mëshirëplotë  me besimtarët. Ai i fal për gabimet që kanë bërë dhe nuk i ndëshkon për ato që shkuan, nëse ata pendohen sinqerisht dhe i kërkojnë Atij falje. Ai i shpërblen shumë edhe për vepra të vogla dhe të pakta. Allahu ua mbulon të metat dhe i udhëzon e ndihmon që të përmirësohen. Ai i ruan nga armiqtë e tyre të shumtë dhe të pamëshirshëm dhe largon prej tyre çdo pengesë që i ngadalëson në rrugën e tyre drejt Tij.

Allahu i ndihmon dhe ua hap sytë e ballit dhe të zemrës që të vërtetën ta shohin të vërtetë dhe ta pasojnë atë, ndërsa të kotën ta shohin si të tillë dhe të largohen prej saj. Ai ua zbukuron besimin dhe ua bën atë të dashur në zemrat e tyre, ndërsa mohimin, shkeljen e kufijve të Zotit dhe mosbindjen ndaj urdhrave të Tij ua bën të urryer dhe të shëmtuar. Me mëshirën e Tij, Allahu i ka përfshirë ata në përkujdesjen e tij të posaçme, të cilën e ka rezervuar vetëm për të zgjedhurit e tij. Kjo është mëshira e Allahut për të zgjedhurit në këtë jetë. Ndërsa në jetën tjetër: