Në ajetet më sipër, Allahu i Madhëruar na tregoi se me çfarë arsyetimesh boshe e refuzojnë të vërtetën ata që nuk e duan besimin. Ato nuk meritojnë të quhen argumente, madje as në nivelin e dyshimeve nuk mund të konsiderohen. Ndërsa në këtë ajet na tregon se ata nuk kanë asnjë bazë ku të mbështeten apo të qëndrojnë, sepse Allahu thotë:
– ”Dhe Ne nuk u kemi dhënë atyre ndonjë libër që të mund ta studionin …” – Ata nuk kanë ndonjë libër, që të jetë si argument me të cilin mund t’u arsyetosh dhe argumentosh. Gjithashtu:
– ”… dhe as nuk dërguam tek ata ndonjë paralajmërues (profet) para teje.” – Dhe kështu ata të kenë mundësinë që të argumentojnë me fjalët dhe qëndrimet e tij dhe të refuzojnë ftesën tuaj me arsyetime të drejta. Ata nuk kanë asnjë libër dhe trashëgimi, që të mund të polemizosh me ta me baza të rregullta. Në vijim, Allahu i Lartësuar i frikëson dhe kërcënon ata duke u treguar se çfarë bëri me popujt që mohojnë profetët dhe Shpalljet e dërguara prej Tij. Ai thotë: