– ”Ai (Iblisi) nuk kishte asnjë pushtet mbi ta …” – Ai i mallkuar nuk është se kishte ndonjë pushtet imponues e nënshtrues, në lidhje me atë që dëshironte prej tyre. Por ishte urtësia e Allahut që e lejoi atë t’u bëjë vesvese, t’ua zbukurojë të këqijat njerëzve, aq sa duket sikur merr njëfarë force mbi ta. Kështu i sprovoi Zoti bijtë e Ademit, me një qëllim të rëndësishëm:
– ”… por, Ne dëshiruam që të dallohet ai që beson në botën tjetër, prej atij që ka dyshim për të.” – Nëpërmjet këtyre joshjeve dhe sprovave, do të realizohet qëllimi i kësaj jete, pra, dallimi i qartë i të sinqertëve nga mashtruesit, për të dalë në pah ata që e kanë imanin të saktë dhe të qëndrueshëm gjatë sprovave, dyshimeve e trillimeve të shejtanëve, nga ata që kanë iman të dobët dhe të paqëndrueshëm, që lëkunden me dyshimin dhe pasiguritë më të vogla, dhe ndërron rrugë që me ftesën e parë në humbje. Kështu, Allahu i Madhëruar e ka bërë këtë dynja që robërit të sprovohen dhe të dalë në pah i keqi nga i miri.
– ”E Zoti yt është Mbikëqyrës mbi gjithçka.” – Ai mbikëqyr dhe kujdeset për të gjithë robërit dhe i ka ruajtur edhe veprat e tyre. Ai i ka llogaritur ato dhe ruan të sigurt edhe shpërblimin për to. Ai ka për t’ua dhënë shpërblimin të plotë dhe pa ia pakësuar askujt hakun e vet.