Select Page

Ata (xhindet) bënin për të gjithçka që ai dëshironte: Tempuj, skulptura, legena të gjera si rezervuare dhe kazanë (gatimi) të mëdhenj e të palëvizshëm.Ata punonin gjithçka që urdhëronte dhe dëshironte Sulejmani pa e bërë dysh fjalën e tij. Ata ngrinin ndërtesa gjigande, shumë të bukura e të forta. Ata bënin skulptura me pamje kafshësh dhe sendesh të pashembullta, në aspektin e hijeshisë dhe perfeksionit artistik.

Gjithashtu, bënin enë të mëdha, që ngjanin si rezervuare, sepse duheshin për të gatuar ushqim. Ata kishin kazanë të mëdhenj, që nuk mund të lëviznin nga vendi. Pasi përmendi mirësitë e Tij mbi ta, Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të ishin mirënjohës për to:

Tregohuni mirënjohës o familje e Daudit!Këtu bëjnë pjesë Daudi, fëmijët dhe familja e tij, sepse këto ishin mirësi për të gjithë. Shumë nga këto mirësi i gëzonin të gjithë të tjerët. Bëni vepra të mira, si falënderim dhe mirënjohje për atë që Zoti ju ka dhënë.

Por, pak nga robërit e Mi janë mirënjohës.Shumica nuk i janë mirënjohës Allahut për mirësitë që u ka dhuruar dhe për të këqijat nga të cilat i ka ruajtur dhe shpëtuar. Mirënjohja është ndjenja e zemrës për mirësitë që Allahu të ka dhuruar duke treguar varfërinë dhe nevojën e madhe që ke për Allahun, si dhe shfrytëzimi i këtyre mirësive në bindje ndaj Allahut. Mirënjohje është, gjithashtu, që të mos i shfrytëzosh mirësitë e Zotit në vepra të këqija dhe në mosbindje ndaj Tij.