– “E në qoftë se jeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, …” – Pra, nëse jeni në udhëtim dhe nuk keni mundësi që t’i shkruani marrëveshjet tuaja, atëherë:
– “… atëherë merrni një plaçkë peng!” – Këtë peng e merr huadhënësi, si garanci për borxhin e dhënë. Ajeti tregon se, nëse pengu nuk i është dorëzuar huadhënësit, atëherë ai nuk është i vlefshëm si garanci. Gjithashtu, nëse më pas palët kanë kundërshtime rreth plaçkës së lënë peng (për sasinë apo cilësinë e saj, për shembull), atëherë merret në konsideratë pohimi i penglënësit. Përse?
Sepse është penglënësi ai që e lë plaçkën si garanci, në vend të dokumentit që vërteton borxhin, dokument që duhej të diktohej po prej tij. Nëse nuk do të ishte i besueshëm pohimi i huamarrësit për pengun e lënë nga ai, atëherë plaçka e lënë peng do të ishte e pavlefshme si garanci. Kjo do të ishte njëlloj sikur të thoshim që deklarata e huamarrësit e diktuar në procesverbal është e pavlefshme si dokument, pasi pengu i lënë është në vend të dokumentit të shkruar.
Duke qenë se qëllimi i pengut është garancia e borxhit, kjo praktikë lejohet jo vetëm gjatë udhëtimeve, por edhe në kushte normale. Allahu i Lartësuar e ka sjellë këtë si zgjidhje në situata jo të zakonta, sepse atëherë nevoja për një zgjidhje të tillë është e domosdoshme, pasi kur je në udhëtim nuk është e thjeshtë të gjesh shkrues për të dokumentuar një marrëveshje.
– “E nëse i besoni njëri-tjetrit, atëherë ai që ka marrë diçka me mirëbesim le ta përmbushë atë që i është besuar …” – Të gjitha këto masa ndërmerren nëse mes huadhënësit dhe huamarrësit apo mes dy palëve në marrëveshje ka njëfarë pasigurie për plotësimin e të drejtave të tyre. Por nëse palët kanë siguri të ndërsjelltë për plotësimin e të drejtave dhe detyrimeve, atëherë kjo, pra lënia në mirëbesim dhe mos marrja peng apo mos dokumentimi i aktit, është diçka e lejuar. Por, në këtë rast, pala marrëse duhet të jetë e drejtë në përmbushjen e detyrimeve të saj. Ajo nuk duhet të bëjë asnjë lloj padrejtësie.
– “… dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij” – Pra, pala që ka marrë diçka prej tjetrit me mirëbesimin e tij, le të ketë frikë Zotin dhe t’i përgjigjet bamirësisë së tjetrit me bamirësi, duke qenë e drejtë në kthimin e hakut të tij.
– “Mos e fshihni dëshminë …” – Arsyeja është se e vërteta është e lidhur ngushtë me dëshminë. Ajo nuk mund të vihet në vend pa të. Ai që e fsheh të vërtetën ka bërë një gjynah të madh. Duke e fshehur të vërtetën, dëshmuesi ka mashtruar dhe, si rrjedhojë, ka shkelur të drejtat e të tjerëve, për të cilat do të mbajë përgjegjësi para Zotit të tij.
– “… se ai që e fsheh atë e ka zemrën me gjynahe. Allahu di çdo gjë që bëni ju.” – Këto norma, me të cilat Allahu i Lartësuar udhëzon adhuruesit e Tij, përmbajnë urtësi dhe dobi gjithëpërfshirëse. Ato tregojnë se, nëse krijesat do të merrnin mësim nga udhëzimet e Krijuesit të tyre, jeta e tyre do të shkëlqente jo vetëm në dynja, me të gjitha problemet e saj, por edhe në ahiret, sepse ato rregullojnë fenë dhe besimin e tyre.
Ato rregullojnë lidhjet e krijesave me Zotin e tyre. E si mund të ndodhë ndryshe, nëse krijesa zbaton udhëzime të ndërtuara mbi drejtësinë, rregullimin dhe mirësinë? Vetëm nëpërmjet tyre mund të arrihet në shuarjen e grindjeve e të keqkuptimeve. Vetëm nëpërmjet tyre mund të rregullohet jeta e krijesave. Allahu qoftë i lavdëruar ashtu si i takon lartësisë dhe madhështisë së Tij, sepse ne nuk mund ta lavdërojmë Atë dhe t’i shprehim adhurimin tonë ashtu si Atij i takon.