Select Page

Ky është nga ajetet e fundit që janë shpallur prej Kur’ânit. Ai është një ajet madhështor, prandaj është përzgjedhur për të qenë mbyllja e dispozitave, urdhrave e ndalesave të ligjëruara nga Zoti i gjithësisë. Ky ajet është shumë i përshtatshëm për këtë mbyllje, sepse përmban premtimin për shpërblim dhe paralajmërimin për ndëshkim ndaj atyre që e meritojnë.

Ai që e di me siguri  se do të kthehet te Zoti i tij, i Cili do ta marrë në llogari për çdo gjë që ka bërë, qoftë ajo e madhe apo e vogël, e shfaqur apo e fshehur, sepse Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë, atëherë një njeriu të tillë do t’i mbushet zemra me ndjenja devotshmërie, me frikë dhe me shpresë. Nëse zemra e robit nuk i ka këto njohuri, atëherë nuk ka asnjë mundësi që ajo të mbushet me të tilla ndjenja të mrekullueshme, të cilat i përjeton vetëm adhuruesi dhe askush tjetër.