– “Ata që e shpërndajnë pasurinë e vet natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi …” – Domethënë, ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Zotit, pra, për hir të Tij e jo për të përmbushur dëshirat e ndaluara apo të papëlqyeshme; ata që shpenzojnë natën dhe ditën, fshehtas apo haptas.
– “… e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka as frikë, as dëshpërim.” – Njerëz të tillë do të kenë një shpërblim shumë të madh nga Zoti i tyre Bujar. Kur ata që kanë kryer vepra të këqija do të jenë të mbushur me ankth e frikë për veprat e tyre, këta fatlumë do të jenë të çliruar nga çdo lloj frike. Atë ditë, ata që e kanë tepruar dhe i kanë shkelur kufijtë e Zotit duke neglizhuar dispozitat e Tij, do të dëshpërohen dhe do të trishtohen, ndërsa këta fatbardhë do të lumturohen, duke arritur çdo gjë që dëshirojnë.
Këta do të gëzohen, sepse do të shpëtojnë nga çdo e keqe që i druheshin më parë. Kjo është gjendja e bamirësve, të cilët kujdesen për robërit nevojtarë të Zotit. Ata kujdesen për të plotësuar detyrimet e veta ndaj Zotit dhe detyrimet ndaj krijesave të Tij. Ndërsa më poshtë,
Allahu i Lartësuar na jep një pasqyrim të palës tjetër, që janë të kundërtit e bamirësve. Ata janë të padrejtët vepërkëqij, të cilët jo vetëm që nuk përmbushin detyrimet e tyre ndaj Krijuesit, por shkelin plotësisht edhe të drejtat e krijesave të Zotit.