– “Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do.” – Allahu i Lartësuar, duke iu drejtuar Profetit të Tij, i thotë se udhëzimi i krijesave për të besuar apo jo, nuk është në kompetencën e tij. Detyra e një Profeti është thjesht përcjellja dhe sqarimi i të vërtetës. Ndërsa udhëzimi i tyre, që të besojnë apo jo, është në dorën e Zotit. Ky ajet mbështet qëndrimin se lejohet që sadakatë t’u jepen edhe jomuslimanëve, domethënë atyre që ende nuk janë udhëzuar të kuptojnë dhe të besojnë, sepse, më tej, Allahu i Lartësuar thotë:
– “Çfarëdo të mire që të jepni, e keni për veten tuaj. Por çdo gjë ta jepni veçse për hir të Allahut …” – Pra, çfarëdo lloj të mire që të shpenzoni, të madhe apo të vogël, që ua jepni muslimanëve apo jomuslimanëve, mirësia e saj kthehet tek ju. Pra, ajeti nuk e përcakton që sadakatë duhet t’u jepen vetëm muslimanëve, por ai është gjithëpërfshirës. Në fakt, Allahu i Lartësuar na tregon këtu për sadakatë e besimtarëve, të cilët japin veçse për një qëllim të caktuar – që të kënaqin Allahun e Lartësuar, sepse besimi i tyre i pengon ata që të kenë ndonjë qëllim tjetër veç këtij. Besimi i tyre i detyron ata që të jenë të sinqertë e të pastër.
– “… sepse çdo të mirë që ju jepni do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë, pa ju cenuar aspak” – Shpërblimin për çdo bamirësi tuajën do ta gjeni të plotë Ditën e Gjykimit. Juve nuk do t’ju preket asgjë, domethënë nuk do t’ju pakësohet aspak shpërblimi që meritoni dhe nuk do t’ju shtohen aspak të këqijat që keni bërë. Më poshtë, Allahu i Lartësuar na udhëzon që t’ia japim sadakanë një kategorie të caktuar njerëzish, të cilët konsiderohen si më parësorët dhe që kanë gjashtë cilësi: