– “O ju që keni besuar! Mos i prishni lëmoshat tuaja me të përmendur dhe me fyerje …” – Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na ndalon nga shkatërrimi i sadakave, jo nga vetë sadakatë. Me mëshirën e Tij, Ai na tregon se shpërblimi i sadakasë shkatërrohet me të përmendur dhe me mburrje. Kjo është vërtet një këshillë e çmuar, që Allahu i Lartësuar na e dhuron nga butësia dhe mëshira e Tij. Ajeti tregon, gjithashtu, se veprat e këqija i fshijnë dhe i shkatërrojnë veprat e mira. Në suren Huxhuratë ajeti 2, Allahu i lartësuar na tregon për një nga veprat e këqia e cila i fshin punët e mira.
Thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos iu drejtoni atij me zë të lartë, sikurse i drejtoheni njëri-tjetrit e kështu t’ju asgjësohen veprat tuaja pa e ndier!”. Pra, sikurse veprat e mira i fshijnë të këqijat, ashtu edhe veprat e këqija i shkatërrojnë dhe i zhvlerësojnë veprat e mira. Ky ajet dhe thënia tjetër e Allahut: “Mos i shkatërroni veprat tuaja…” na nxisin që t’i përsosim dhe t’i ruajmë veprat e mira nga çdo gjë që mund të shkatërrojë shpërblimin e tyre. Allahu i Lartësuar na nxit për një gjë të tillë, që veprat dhe mundi ynë të mos na shkojnë kot.
– “… siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit.” – Këtu Allahu na tregon se veprat tona, edhe pse fillimisht mund të nisin për hir të Tij, në momentin që shoqërohen me të përmendur dhe me mburrje, ato asgjësohen. Ato konsiderohen njëlloj si veprat që bëhen veçse për syfaqësi ndaj njerëzve. Njerëzit që veprojnë kështu nuk besojnë në Allahun dhe as në Ditën e Llogarisë, prandaj nuk do t’u pranohet asnjë lloj vepre dhe mundi që shpenzojnë.
Veprat e tyre janë plotësisht të refuzuara, sepse dihet se asnjë vepër nuk pranohet nga Allahu i Lartësuar, derisa të plotësojë dy kushtet e njohura: të kryhet me sinqeritet për Allahun, duke shpresuar me të vetëm shpërblimin e Tij, dhe vepra të jetë në përputhje me mësimet dhe porositë e Allahut dhe Profetit të Tij. Kështu, veprat e hipokritit nuk janë për Allahun, por për veten e tij ose për famën ndër njerëz. Për këtë arsye, të gjitha veprat e tij janë të kota, nuk merren në konsideratë dhe kurrë nuk do të shpërblehen. Allahu i Lartësuar na sjell një shembull shumë të goditur për këta lloj njerëzish:
– “Ky ngjan me atë gurin e madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur.” – Këta njerëz dhe veprat e tyre i shëmbëllejnë një guri shumë të lëmuar dhe të mbuluar me dhé, i cili, kur goditet nga një shi i rrëmbyer, zhvishet tërësisht prej atij dheu. E tillë është gjendja e hipokritëve. Zemrat e tyre janë të ashpra e të forta, sikurse është guri. Ndërsa sadakatë dhe veprat e tyre të mira janë si pluhuri a dheu që zë guri i lëmuar përsipër.
Kur i padituri e sheh gurin e mbuluar me dhé, mendon se ka të bëjë me një tokë pjellore. Por kur zbulohet e vërteta që fshihet nën të, atëherë çdokush e kupton se veprat e tij kanë qenë mashtruese. Zemra e tyre nuk është vendi i përshtatshëm për t’u mbjellë dhe për të dhënë fryte të dobishme. Syfaqësia dhe motivet e këqija nuk e lejojnë njeriun që të përfitojë nga ndonjë vepër e tij, prandaj i Madhëruari thotë:
– “Ata nuk arrijnë asgjë nga ato gjëra që kanë bërë.” – Prej veprave që bëjnë dhe prej mundit që harxhojnë, ata nuk do të përfitojnë absolutisht asgjë, sepse ata ia përkushtojnë këto vepra e mund të shpenzuar atij që nuk i meriton. Ata i kryejnë veprat për të kënaqur krijesat, jo për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Ata mundohen të kënaqin atë që nuk ka në dorë as dëm, as dobi, dhe braktisin adhurimin e Atij që ka në dorë gjithçka. Pikërisht për këtë shpërfillje të tyre, Allahu i Lartësuar ua ka devijuar zemrat, që të mos e shohin më udhëzimin, siç thotë në vijim:
– “Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.” – që e fshehin të vërtetën, e mohojnë dhe e rrefuzojnë atë pa të drejtë.