Select Page

Disa ajete më lart, Allahu i Lartësuar  tha: “Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish?”. Ndërsa tani, Ai sqaron se si bëhet ky shumëfishim i shpërblimit:

– “Pasuria e atyre që e shpenzojnë atë në rrugë të Allahut përngjan me një farë, prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, ku në secilin kalli ka njëqind kokrra.” – Shprehja: “…në rrugë të Allahut…” domethënë: në bindje ndaj Tij dhe për kënaqësinë e Tij. Sigurisht, shpenzimi më i mirë, në këtë rast, është pikërisht në mbështetje të luftës në rrugën e Zotit.  Allahu i Lartësuar na sjell një ilustrim tepër të qartë dhe të thjeshtë të shumëfishimit të shpërblimit të Tij.

Ai na i sjell këtë shembull të prekshëm, me një qëllim shumë të rëndësishëm: që të forcohet edhe më shumë siguria për premtimin e Tij. Kur bashkohet forca e argumenteve të dukshme me forcën e besimit të brendshëm, shpirti fiton një bindje e siguri të palëkundur, dhe, si rezultat, do të nënshtrohet plotësisht për të kryer vepra të mira, të shpërblyeshme nga Allahu i Lartësuar. Kështu, njeriu do t’i shtojë shpenzimet në rrugën e mirësisë, sepse shpërblimi që ai pret është shumë i sigurt dhe shumë i madh.

– “Allahu ia shumëfishon atij që Ai dëshiron.” – Pra, Allahu i Lartësuar ia jep këtë shumëfishim atij që Ai dëshiron.  Dëshira e Allahut të Lartësuar për të dhënë shpërblime dhe për t’i shumëfishuar ato, është në përputhje me urtësinë dhe dijen e Tij madhështore. Për të bërë këtë shumëfishim, Allahu i Madhëruar merr në konsideratë shumë gjëra, si: gjendjen e atij që shpenzon, domethënë shkallën e sinqeritetit të tij në qëllimin e këtij shpenzimi; llojin e shpenzimit, ose shkallën e dobisë së tij dhe të nevojës për të; fushën në të cilën shpenzohet dhe kategorisë që ajo i jepet. Nga këto kritere varet shumëfishimi i shpërblimit, ndonëse dihet që Allahu i Lartësuar e shpërblen pa kufi atë që Ai dëshiron.

– “Allahu është është Bujar i madh e i Gjithëditur.” – Allahu është Bujar me mirësitë dhe dhuratat që jep. Atij nuk ia pakëson mirësitë shpërblimi që u jep njerëzve dhe Ai nuk varfërohet nga kërkesat e asnjë lloj lutësi. Prandaj, askush të mos mendojë se ky shumëfishim është një lloj teprimi në premtimet për shpërblim. Allahu i Lartësuar e jep gjithmonë atë që e premton. Atij nuk i pakësohet kurrë mirësia, sado që t’ua shumëfishojë shpërblimet njerëzve. Sigurisht, këto shpërblime jepen sipas urtësisë dhe dijes së Tij, sepse Allahu është i Gjithëditur. Ai e di shumë mirë se kush i meriton ato dhe kush jo.