Select Page

– “Këto janë argumentet e Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi.” – Këto janë ngjarje e argumente të Allahut, të cilat Ai na i tregon me vërtetësi, sikurse kanë ndodhur në realitet. Kjo bëhet që ne të marrim informacione të sigurta, dhe pastaj të nxjerrim mësime nga këto histori të vërteta.

– “S’ka dyshim se ti je prej të dërguarve.” – Kjo është një dëshmi madhështore, e dhënë prej Allahut të Lartësuar për Muhamedin. Ai dëshmon se Muhamedi (a.s.) është profet i Zotit të botëve. Ndër argumentet e faktet më të qarta që vërtetojnë se Muhamedi (a.s.) ishte profet i Zotit të gjithësisë, janë edhe këto ngjarje historike të kohës së hershme, për të cilat Muhamedi nuk dinte asgjë më parë. Në këto rrëfime flitet për profetët e Zotit, për pasuesit e tyre të denjë, për armiqtë e profetëve, për luftërat e zhvilluara në rrugën e Zotit etj.

Nëse Allahu i Lartësuar nuk do t’ia shpallte atij këto ngjarje, ai vetë nuk do të kishte mundësi që t’i tregonte me aq vërtetësi, imtësi dhe saktësi, sepse si ai, si populli i tij, mes të cilit jetonte, nuk kishin asnjë lloj njohurie rreth atyre ngjarjeve. Kjo tregon se, me të vërtetë, ai ishte profet i zgjedhur prej Zotit të botëve. Ai ishte profet që nuk fliste nga mendja e vet, por thoshte atë që dëgjonte, atë që i shpallej prej Allahut. Ai ishte Profeti i madh, të cilin Zoti e dërgoi me të vërtetën e sigurt, me fenë e përkryer, për ta bërë të triumfojë mbi çdo fe tjetër, edhe pse këtë gjithashtu gjë e urrejnë idhujtarët.