Select Page

– “Kur Taluti u nis së bashku me ushtrinë, tha: …” – Kështu, pasi Taluti u zgjodh mbret i tyre dhe pasi pushteti i tij u forcua dhe u stabilizua, filluan përgatitjen për luftën që po afrohej. Para se Taluti të nisej me ushtrinë e bijve të Israilit, të cilët ishin të shumtë në numër, i njoftoi se Allahu i Lartësuar do t’i përballte ata me një sprovë, prej së cilës do të dalloheshin të qëndrueshmit dhe të bindurit për të luftuar, nga të lëkundurit dhe dyshuesit:

– “Allahu do t’ju sprovojë me një lumë. Ai që pi prej tij, nuk vjen (në luftë) me mua, …” – Kuptimi: Kush do të pijë prej atij lumi, nuk do të jetë më prej nesh. Ata nuk e meritojnë që të marrin pjesë në luftë, sepse ata nuk janë në gjendje të bëjnë durim për një sprovë shumë më të lehtë sesa lufta. Të tillët janë të paqëndrueshëm dhe të padurueshëm.

– “… e kush nuk e provon atë, përveç një hurbe me dorën e vet, ai vjen (në luftë) me mua.” – Pra, ky qe një lehtësim: ai që do të pinte prej lumit veçse një grusht ujë, me dorën e vet, do të tolerohej. Ndoshta, me atë masë të vogël uji që u lejoi të pinin, Allahu i Lartësuar do t’u sillte begati dhe do t’ua bënte mëse të mjaftueshme. Sprovimi ishte vërtet i vështirë, sepse ata kishin shumë pak ujë me vete, ndërkohë që i kishte përfshirë një etje e madhe. Pikërisht në këto kushte, ata duhej të pinin vetëm një grusht ujë nga lumi.

– “Por ata pinë prej tij, me përjashtim të një pakice.” – Shumica e tyre pinë prej lumit më shumë sesa iu lejua, dhe kështu nuk merituan që të merrnin pjesë në luftë. Paaftësia e tyre për të duruar një sprovë të tillë, ishte argument i qartë që vërtetonte se ata do të ishin të padurueshëm ndaj vështirësive të një lufte të gjatë. Ata nuk do ta përballonin kurrë atë luftë që i priste.

Ky largim i pjesës më të madhe të ushtrisë bëri që ata të durueshmit të shtonin edhe më tepër lutjet drejtuar Allahut të Lartësuar, që Ai t’u përforconte zemrat dhe këmbët. Kjo i dha mbështetjes së tyre tek Allahu i Lartësuar të tjera përmasa. Ata i shkëputën plotësisht shpresat te forcat dhe aftësitë e tyre. E vetmja shpresë për ta ishte tashmë ndihma e Allahut të Lartësuar dhe durimi në luftën kundër armikut. Allahu i Lartësuar na përshkruan gjendjen e tyre para betejës:

– “E kur ai (Taluti) tok me besimtarët kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: …” – Pra, shumica e atyre që i rezistuan sprovës së lumit, kur panë armikun e madh në numër dhe forcat e tyre të pakta, thanë:

– “Ne nuk kemi fuqi sot të luftojmë kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij!” – Duke parë ushtrinë e madhe të armiqve dhe armatimin e tyre, ata u shkurajuan dhe menduan se ishin shumë të dobët dhe të pafuqishëm përballë asaj ushtrie. Megjithatë, mes tyre ishte një pakicë heroike:

– “Por ata që ishin të bindur për takimin me Allahun thanë: …” – Ata kishin siguri të plotë për takimin me Allahun, Zotin e tyre. Besimi i tyre ishte i qëndrueshëm dhe i patundur. Kështu, ata filluan të qetësonin zemrat e pjesës tjetër të ushtrisë, të ngjallnin optimizëm dhe të këshillonin për durim dhe qëndrueshmëri. Ata u thanë vëllezërve të tyre:

– “Sa e sa grupe të vogla kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha, me dëshirën e Allahut!” – Mësojeni se ai që vendos në çdo çështje është Allahu i Lartësuar. Çdo gjë është në dorën e Tij dhe bëhet sipas urtësisë dhe mëshirës së Tij. Krenar do të jetë ai që Zoti e nderon. I poshtëruar do të jetë ai që Zoti e poshtëron. Numri i madh i forcave dhe fuqia ushtarake nuk vlejnë nëse Allahu i Lartësuar ka shkruar për ta humbjen dhe poshtërimin. Nga ana tjetër, numri i vogël dhe dobësia bëhen të parëndësishëm kur pranë tyre qëndron ndihma e Allahut.

– “Allahu është me durimtarët.” – Allahu është pranë të duruarve me ndihmën, suksesin dhe fitoren e dhënë prej Tij. Shkaku më i madh dhe më i rëndësishëm nëpërmjet të cilit adhuruesi fiton ndihmën e Zotit, është durimi dhe qëndrueshmëria për hir të Tij. Ky përkujtim i sinqertë pati një ndikim shumë të madh në zemrat e tyre, prandaj, të rreshtuar përballë armikut, ata thanë: