Select Page

– “Kush është ai që do t’i japë Allahut një “hua” të mirë, që Ai t’ia shtojë atë shumëfish?” – Kush dëshiron që t’i shtohen shpërblimet tek Allahu i Lartësuar, le të shpenzojë çfarë të ketë më të lehtë prej pasurisë së tij në rrugët e shumta të mirësisë, të cilat i ka sqaruar Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij, e në mënyrë të veçantë për të mbështetur dhe forcuar xhihadin në rrugën e Zotit. Shpenzime të tilla, Allahu i Lartësuar i ka quajtur “hua” të mirë, pra, shpenzim të mirë. Jo çdo lloj shpenzimi shpërblehet nga Allahu i Lartësuar. I vetmi shpenzim që shpërblehet nga Allahu i Lartësuar, është shpenzimi i mirë. Një shpenzim quhet i mirë vetëm nëse plotëson dy kushte: 1. të jetë prej pasurisë hallall; 2. të jepet për hir të Allahut, duke synuar kënaqësinë e Tij. Vetëm për këtë lloj shpenzimi ka premtuar Allahu i Lartësuar shumëfishim të mirësive, duke thënë:

  “… që Ai t’ia shtojë atë shumëfish?” – Një vepër të mirë, Allahu i Lartësuar e shpërblen dhjetëfish, njëqindfish ose më tepër. Kjo bëhet në varësi të disa kushteve, si: në varësi të gjendjes së atij që shpenzon; në varësi të qëllimit që njeriu kërkon të arrijë me shpenzimin; në varësi të dobisë së arritur nëpërmjet atij shpenzimi; në varësi të nevojës që ndihet për atë shpenzim. Njeriu ndoshta mendon se, duke shpenzuar shumë, do të varfërohet. Për të larguar këtë mendim të gabuar, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Allahu e pakëson rizkun dhe po Ai jep me mbushulli. – Është Allahu i Lartësuar Ai që ia shton pasurinë atij që Ai do dhe ia pakëson, gjithashtu, atij që Ai do. Kjo tregon se administrimi i të gjitha çështjeve është vetëm në dorën e Allahut. Ai vendos për gjithçka. Mosdhënia për bamirësi nuk e shton pasurinë, ashtu sikurse edhe shpenzimi në rrugë të Allahut nuk e pakëson pasurinë. Madje, jo vetëm që nuk pakëson asgjë, por Ditën e Gjykimit, Allahu i Lartësuar do të japë shpërblim të plotë për pasurinë që robi ka shpenzuar për hir të Tij. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:

– “Vetëm tek Ai është kthimi juaj.” – Tek Ai do të kthehen të gjithë, për t’u llogaritur dhe për t’u shpërblyer plotësisht e me drejtësi për gjithçka që kanë bërë në këtë jetë. Ky ajet tregon qartë se masat që ndërmerr robi nuk mund ta ndryshojnë gjykimin dhe përcaktimin e drejtë të Allahut për krijesat. Ato nuk mund ta ndryshojnë drejtësinë dhe urtësinë që ka përcaktuar Zoti i gjithësisë, sidomos ato lloj masash që shpërfillin urdhëresat e Tij. Në këtë ajet përmendet, gjithashtu, një mrekulli e madhe që Zoti i ka shfaqur njerëzimit. Ajo është ringjallja e të vdekurve që në këtë botë, duke treguar kështu fuqinë e Tij absolute për ta bërë këtë gjë.

Ky ajet na urdhëron që të luftojmë dhe të shpenzojmë për të triumfuar feja e Allahut. Por ai na tregon edhe shkaqet që na shtyjnë të shpenzojmë dhe të luftojmë për këtë çështje: Kështu, Allahu e ka quajtur këtë lloj shpenzimi “hua të mirë”, gjë që na jep të kuptojmë se ajo do të kthehet mbrapsht patjetër, sikurse është detyrë që të kthehet huaja. Jo vetëm kaq, por Allahu premton se do ta kthejë shumëfish shpërblimin e Tij. Përveç kësaj, në ajet tregohet se shtimi dhe pakësimi i pasurisë është në dorë të Allahut të Lartësuar dhe të askujt tjetër, dhe kjo të nxit që të japësh jetën dhe pasurinë vetëm për hir të Tij. Në fund, Allahu na kujton se të gjithë tek Ai do të kthehemi një ditë, për t’u llogaritur dhe për t’u shpërblyer për veprat tona.