Allahu i Lartësuar na tregon për idhujtarët, për mohimin dhe armiqësinë e tyre të ashpër ndaj së vërtetës. Ata i kthejnë shpinën të vërtetës me këmbëngulje dhe kokëfortësi. Atyre nuk u bëjnë dobi këshillat dhe shenjat e Allahut, madje kurrë nuk kanë për t’i besuar ato, derisa të shohin dhe përjetojnë ndëshkimin e të Drejtit. I Madhëruari thotë:
– “Sa herë që u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i kthejnë shpinën.” – Sa herë që atyre u vijnë shenja të qarta nga Zoti, që tregojnë për saktësinë dhe vërtetësinë e Shpalljes së Zotit, madje të bëjnë që të nënshtrohesh dhe të punosh sipas tyre, ata nuk i kushtojnë rëndësi, madje as denjojnë që ta dëgjojnë ftesën. Zemrat e tyre të shpërqendruara nga kjo ftesë janë përqendruar tërësisht diku tjetër. Kështu i kthejnë ata shpinën ftesës së Zotit dhe kështu i trajtojnë shenjat e Tij.