Select Page

“Në çdo çast, Ai merret me shumë çështje.” – Ai pasuron të varfërin, ndihmon nevojtarin, i jep mirësi dikujt e privon një tjetër, merr jetë dhe jep jetë, krenon disa e poshtëron disa të tjerë. Atë nuk e pengon një çështje nga çështjet e tjera. Atë nuk e ngatërrojnë angazhimet e shumta. Atë nuk e lodhin e as e shqetësojnë insistimet e atyre që luten dhe kërkojnë. I lartësuar e i pastër nga çdo e metë e mangësi është Bujari e Dhuruesi! Mirësitë e Tij kanë mbuluar krijesat e qiellit dhe të tokës. Butësia dhe mëshira e Tij ka përfshirë të gjitha krijesat, në çdo vend dhe çast. I lavdëruar e i lartësuar qoftë Allahu, të Cilin nuk e pengojnë gjynahet dhe gabimet e gjynahqarëve, që t’u dhurojë atyre nga mirësitë e Tij.

Atë nuk e pengon arroganca e injorantëve, që t’i furnizojë e të përkujdeset për ta, megjithëse ata – me injorancën e tyre – shprehin panevojshmëri për bujarinë dhe mirësinë e Tij, ndërkohë që në realitet janë plotësisht nevojtarë dhe të varur nga Ai. Këto çështje, për të cilat Allahu na tregon se angazhohet çdo ditë, Ai i ka përcaktuar dhe shkruar që në zanafillë. Ai vazhdon t’i realizojë ato në kohën e përcaktuar dhe korrektësisht ashtu si i ka përcaktuar me urtësinë e Tij. Është Allahu që i vendosi si ligjet e funksionimit të gjithësisë së krijuar, ashtu edhe ligjet e fesë. Ai kujdeset për krijesat duke u vendosur atyre Sheriatin, të cilit duhet t’i përmbahen dhe të jetojnë sipas tij. Ai vendosi për ta urdhra e ndalesa, kufij e dispozita, për të cilat do t’i marrë në përgjegjësi Ditën e Gjykimit.

Ai vendosi edhe ligjet e krijimit, sipas të cilave Ai kujdeset për krijesat në jetën e kësaj dynjaje, derisa të vijë dita e vdekjes dhe shpërnguljes së tyre në ahiret. Atë ditë do të jetë koha kur do të vihet në zbatim ligji i Tij i shpërblimit me drejtësi. Atë ditë, Ai do t’u paraqesë krijesave drejtësinë, bamirësinë dhe mëshirën e madhe të Tij, nëpërmjet të cilave ato do ta njohin tërësisht dhe do të dëshmojnë se Ai është i Vetëm, i Pakrahasueshëm dhe i Pashembullt në çdo aspekt. Atë ditë krijesat do të zhvendosen nga vendi i provës dhe fatkeqësive, në vendin e shpërblimeve apo shpagimit me drejtësi, në jetën e pasosur. Atë ditë, i Madhëruari do të veçohet dhe angazhohet me zbatimin e ligjit të shpërblimit të Tij për krijesat, prandaj thotë:

“Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!”