– “Është Ai që ju krijoi nga balta, pastaj caktoi një afat për ju …” – Balta ishte lënda nga e cila Allahu i Madhëruar krijoi njeriun e parë, Ademin (a.s.). Pastaj Ai vendosi një afat për vazhdimësinë e jetës së njerëzve në këtë botë, kur ata duhet të shfrytëzojnë e të shijojnë të mirat që Ai u dhuron. Gjithashtu, ata ndërkohë do të provohen për zbatimin e porosive që Allahu ka sjellë përmes profetëve.
Ai e krijoi jetën dhe vdekjen pikërisht për t’i sprovuar robërit e Tij, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Është Ai që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjimtari, Gjynahfalësi.” [Mulk 2]. Allahu u jep robërve mundësi të jetojnë, aq sa çdokush të ketë mundësinë për të reflektuar dhe për të nxjerrë mësime.
– “… dhe një afat tjetër (përfundimtar) që e di Ai.” – Ky afat është Dita e Gjykimit, atëherë kur të ringjallen të gjithë dhe të grumbullohen tek Allahu i Madhëruar, që të japin llogari dhe shpërblehen me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, secili sipas asaj që ka punuar.
– “Por sërish ju dyshoni!” – Me gjithë këto sqarime të plota, ju përsëri keni dyshime për premtimin e Allahut, për kërcënimet e Tij dhe për Ditën e Gjykimit. Po ta vërejmë me kujdes, shohim se Allahu i Madhëruar fjalën “errësira” e ka sjellë në numrin shumës, sepse errësirat janë të shumta dhe të llojllojshme.
Ndërsa fjala “dritë” është në numrin njëjës, sepse drita që ndriçon rrugën për tek Allahu i Madhëruar është një e vetme. Ajo është dituria mbi të vërtetën dhe puna sipas saj, siç thotë i Madhëruari: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Prandaj përmbajuni asaj e mos ndiqni rrugë të tjera, të cilat ju largojnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, në mënyrë që ju të jeni të devotshëm.” [En’am 153].