Select Page

– “Janë mohuesit e besimit të drejtë që ju pengojnë t’i afroheni Shtëpisë së Shenjtë, duke ndaluar edhe kurbanet të arrijnë në vendin e vet.” – Këto arsye ishin: 1. Mohimi nga ana e tyre i Allahut dhe refuzimi i Profetit të Tij. 2. Pengimi i njerëzve nga feja e Allahut. 3. Pengimi i Profetit dhe i besimtarëve për të vizituar Shtëpinë e Zotit, ku të adhuronin Zotin, nëpërmjet haxhit dhe umres. 4. Pengimi i bagëtive të kurbanit që të mbërrinin në vendin e kurbanit, në Mekë. Të gjitha këto vepra të tyre ishin arsye të mjaftueshme që t’i luftoje. Por ekzistonte një pengesë: prania në Mekë, mes idhujtarëve, e shumë burrave dhe grave muslimane, që nuk ishin të veçuar diku, ku mund të ishin të mbrojtur nga lufta dhe vrasja. I Madhëruari thotë:

– “Sikur të mos ishin ata besimtarë dhe ato besimtare, që ju nuk i njihnit e që mund t’i sulmonit duke mos e ditur, duke u turpëruar kështu me vrasjen e ndonjërit prej tyre, Allahu do t’ju urdhëronte për t’i luftuar ata (mosbesimtarët e Mekes), me qëllim që Allahu ta merrte në mëshirën e Vet atë që Ai do.” – Atëherë, lufta u ndalua me qëllim që, nga pamundësia për t’u dalluar, të mos dëmtoheshin edhe besimtarët që jetonin në Mekë.

Gjithashtu, ekzistonte edhe një shkak tjetër për të mos zhvilluar luftë në Meke. Allahu i Madhëruar dëshiroi që shumë prej banorëve të Mekës të pranonin Islamin dhe, me mëshirën e Tij, të bëheshin muslimanë të dorëzuar tërësisht ndaj Tij. Ai dëshiroi t’i udhëzonte shumë prej tyre në fenë e pastër, pasi ishin të harruar e të zhytur në kufër. Ai dëshiroi t’u dhuronte udhëzimin e qartë, pasi ishin në një humbje të thellë. Edhe kjo arsye ishte shumë e fortë për të penguar luftën në Mekë.

– “Po të ishin ata (banorët e Mekës) të ndarë veç e veç, Ne do t’i ndëshkonim jobesimtarët me një dënim të rëndë.” – Nëse besimtarët e Mekës do të mund të largoheshin e veçoheshin nga idhujtarët, Allahu i Madhëruar do t’i ndëshkonte mohuesit kryeneçë, duke e lejuar luftën kundër tyre dhe do t’u dhuronte fitoren besimtarëve.