Select Page

– “Allahu ju premton plaçkë të  madhe, që do ta fitoni, kurse këtë jua dha më shpejt.” – Ky premtim përmbledh të gjithë plaçkën e luftës dhe betejat që do të fitojnë muslimanët, deri në Ditën e Kijametit.  Fragmenti: “…kurse këtë jua dha më shpejt” ka për qëllim plaçkën e Hajberit. Kështu, ajeti do të thotë: Mos mendoni se shpërblimi i Allahut mbaron me plaçkën e Hajberit! Përkundrazi, pasuri të mëdha ju presin edhe në të ardhmen. Atëherë, lavdërojeni dhe falënderojeni Allahun për këtë!

“Ai i pengoi duart e njerëzve kundër jush, që të shihej si shenjë e mirë nga besimtarët …” – Allahu i ndali njerëzit që ishin të aftë dhe të gatshëm t’ju luftonin! Kjo qe një ndihmë e madhe për ju. Gjithashtu, plaçka e luftës e fituar nga ju le të jetë si dëshmi se premtimi i Allahut është i vërtetë dhe shpërblimi i Tij për besimtarët është i madh. Ai që caktoi për ju pasurinë e Hajberit është i Plotfuqishmi, i Cili do t’ju dhurojë edhe të tjera si ajo.

“… dhe që t’ju udhëzonte në Rrugë të Drejtë.” – Nëpërmjet rrugëve dhe shkaqeve të përcaktuara nga Ai, Allahu do t’ju udhëzojë në rrugën e drejtë. Kjo rrugë e drejtë është dija e saktë dhe e vërtetë, besimi i sinqertë, si edhe veprat e mira, sipas dijes së saktë dhe besimit të sinqertë.